Foto: ZKM

Situata me pandeminë, Hoti takon përfaqësuesit e gastronomëve dhe shitësve me pakicë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se sot ka takuar përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve dhe të Rrjetit të shitësve me pakicë.

Hoti ka deklaruar se të njëjtit i ka siguruar për përkushtimin e Qeverisë në vazhdimin e mbështetjes dhe thellimin e bashkëpunimit përballë situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe të bizneseve.

“Po ashtu, i njoftova se pakoja e re mbështetëse do të jetë në vlerë prej 200-220 milion euro, për tre mujorin e parë të vitit 2021,  ku midis tjerash përfshihet edhe zbritja e TVSH-së nga 18% në 8 % për këtë vit, masa këto të parapara me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve dhe ata të Shoqatës së Shitësve me Pakicë, thuhet se kërkuan nga kryeministri rishikimin e mundësisë për zgjatjen e orarit të punës si dhe ndryshime në mënyrën e shpërndarjes së pakos së re të ndihmës për bizneset për vitin 2021.

Kuvendi i Kosovës sot pritet të miratojë në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, në të cilin përfshihen edhe lehtësira për bizneset.