Të pandehurit Amir Salihoviç, Izet Arifoviç (tashmë ka vdekur) dhe Suad Smajloviç. Foto: BIRN.

Rritet dënimi i ish-ushtarit boshnjak për gjymtim të kufomave

Dënimi për ish-ushtarin e Ushtrisë Boshnjake Suad Smajloviç, i dënuar për gjymtimin e kufomave të civilëve serbë në vitin 1992, u rrit në tre vjet burg.

 

Dhoma e apelit e gjykatës shtetërore boshnjake la të enjten në fuqi një apel të prokurorisë dhe rriti dënimin e Suad Smajloviçit nga një vit dhe dy muaj burg në tre vjet burg.

Sipas vendimit të shkallës së parë të dhënë në shtator 2018, Smajloviç u shpall fajtor për gjymtimin e kufomave të civilëve serbë duke qëlluar ndaj tyre në verën e 1992, por u lirua nga akuzat për pjesëmarrje në vrasjet e tyre.

Gjykata të enjten gjithashtu konfirmoi lirimin nga akuzat të kolegut të Smajloviçit, ish-ushtarit të Ushtrisë Boshnjake Amir Salihoviç.

Slihoviç ishte liruar nga akuzat për arrestimin e paligjshëm të nëntë personave pas një operacioni ushtarak në Zalazje më 12 korrik 1992 dhe dërgimin e tyre në një lokacion të panjohur, pas së cilës ata nuk u panë më kurrë.

Procedurat gjyqësore ndaj një të pandehuri të tretë, Izet Arifoviç, u ndërprenë në shkurt të këtij viti për shkak të vdekjes së tij.

Sipas vendimit të shkallës së parë, ai ishte dënuar me dhjetë vjet burg për vrasjet e civilëve në zonën e Srebrenicës dhe Bratunacit.

Vendimi i ditës së enjte nuk mund të apelohet.