Rreth 400 punëtorë të Trepçës ende nuk i kanë marr rrogat e plota për muajin prill

127 punëtorëve të minierës së Stantërgut dhe rreth 400 punëtorëve të ndërmarrjes Trepça nuk u kanë dalë rrogat e plota për muajin prill 2024.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Destan Kërleshi, përfaqësues i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”.

“127 punëtorë të Stantërgut nuk e ka marrë ende 60% të pagës. Rreth 400 punëtorëve nuk u kanë dalë pagat e plota, i kanë marrë vetëm 40%, përfshirë pjesën e Kishnicës dhe pjesën veriore. 40% të punëtorëve i kemi marr vetëm 40% të pagave. Ndërsa pjesa e punëtorëve që janë direkt në prodhim u kanë dalë 60% të pagës”- ka thënë Kërleshi.

Tutje ai thotë se kryeshefi ekzekutiv, Bashkim Kurti po ankohet për mungesë të financave.

“Dje kanë bërë shitje sa i përket prodhimit atje në Kishnicë. Rreth 200 mijë kanë bërë shitje por nuk u kanë dalë pagat. Dje u kon premtimi prej kryeshefit me i aloku, por nuk i ka aloku”- përfundoi Kërleshi.

Kryeshefi i Ndërmarrjes, Bashkim Kurti pohon se ky numër i punëtorëve nuk kanë marrë pagapër shkak të sipas tij mungesës së fondeve nga shitja e koncentratit.

“Është e vertetë se rreth 400 puntorëve të administratës nuk i është paguar komplet paga për muajin prill 2024. Në mungesë të fondeve vetanake nga shitja e koncentratit nuk është bërë ende pagesa. Në bazë të marrëveshjes me blerësin pagesa e koncentratit është dashur të kryhet dje – e enjte, por për shkak se ne nuk kemi arritë ta përfundojmë furnizimin sipas marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar, banka e blerësit ka bllokuar pagesën deri në përfundim të disa verifikimeve nga ana e tyre”- ka thënë ai.

Tutje kryeshefi potencoi se synimi i kësaj ndërmarrjeje është të sigurojë 700 tonelata koncetrat plumbi po aq edhe të zinkut, ndërsa është arritur mesatarja mujore prej 230 tonelatave plumb dhe 275 tonelata zink.

“Ne si Trepçë nga puna jonë duhet të gjenerojmë mjete të mjaftushme nga shitja e koncentratit dhe të mbulojmë shpenzimet vetanake (paga dhe shpenzime të tjera operative). Për ta arritur këtë ne duhet të sigurojmë së paku 700 ton koncentrat plumbi dhe po aq zink, perderisa ne kemi arritur mesataren mujore prej 230 ton plumbi dhe 275 ton zinku”- përfundoi ai.

Më datë 16.05.2024 KALLXO.com ka raportuar për vonesë të rrogave, gjithashtu për kundërthëniet midis kryeshefit ekzekutiv dhe drejtorit të minierës.

Kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti ka pranuar se rrogat u janë vonuar pasi ndërmarrja nuk ka arritur të gjenerojë të hyra prej shitjes së xeheve.

Por “arsyetimin” e kryeshefit se është dashur të bëhen 20,000 tonë xehe, por janë bërë 6,000 tonë xehe e ka kundërshtuar drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku.

“Për muajin prill janë kanë të planifikume 12,996 tonë jo 20,000 tonë   Janë përpunuar 6,000 e diçka tonë, po qajo xehe ka vazhduar me u përpunuar edhe në muajin maj, që janë përpunu edhe gati 2,000 tonë pra janë 8000 e diçka tonë të përpunuara. Prej tyre janë fitu diku rreth 250 tonë koncentrat të zinkut edhe 200 janë koncentat të plumbit”- ka thënë drejtori i Minierës.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi minatorët janë kthyer në punë me premtimin se do i marrin rrogat të premten me datë 17.05.2024.

Minatorëve të Trepçës sërish ju vonohen rrogat