Rrëfimi i gazetarit norvegjez për refugjatët kosovarë në Kleçkë

Paul Refsdal, një gazetar norvegjez i cili raportoi për luftën në Kosovë, ndërsa deri sa po hynte brenda vendit ishte plagosur nga një granatë e gjuajtur nga forcat serbe në një intervistë në “Kallxo Pernime” ka rrëfyer për situatën në atë kohë deri sa shfletonte fotografitë, e fliste për xhirimet, përjetimet e tij dhe raportimin nga ajo kohë. 

Përgjatë intervistës ai kujton edhe refugjatët në Kleçkë të Lipjanit, të cilët sipas tij, u strehuan atje “sepse UÇK-ja ishte prezentë në atë pjesë”. Sipas tij në atë zonë kishte mijëra refugjatë. 

“Ishin mijëra refugjatë që kërkonin strehim atje sepse nuk mund të dilnin. Ata kishin frikë se serbët do t’i masakronin nëse dilnin. Kështu që po strehoheshin atje sepse UÇK-ja kishte prezencë në zonën e Kleçkës, kështu që ata mblidhnin mijëra njerëz atje dhe përpiqeshin të jetonin atje”, – ka rrëfyer Refsdal.

Masakra në Carallukë të Malishevës

Refsedal ka shtuar se kur po i afroheshin tërheqjes së serbëve, po merrnin gjithashtu raportime për masakra.

“Një nga ato ishte një fshat i vogël, mendoj se quhej Carallukë, afër Malishevës. Thanë se gjetën një vend masakre, kështu që shkova me një djalë të UÇK-së, kaluam rrugën kryesore, po ecnim drejt fshatit dhe gjetëm këtë shtëpi të djegur. Brenda, dukej si mbetjet e një skare, por këto ishin mbetje njerëzore. Këto ishin kafka dhe skelete nga gra, burra dhe madje kishte kafka të vogla foshnjash”, – ka thënë Refsedal.

“Ishte një djalë i UÇK-së, ai kishte një kamerë. Ai i shkruajti emrat. Pas një jave shkova atje me Christiane Amanpour nga CNN. Vendi ishte siç e kishin lënë. Ata bënë një raport, por të njëjtët civilë që ishin kthyer, thanë se janë lodhur duke pritur. Ata së shpejti do ti varrosin mbetjet sepse ishin lodhur duke pritur hetuesin ndërkombëtar. Kjo ishte ndoshta një vendim i mençur sepse komuniteti ndërkombëtar ishte shumë i ngadaltë. Ngadalë për ti thënë refugjatëve se mund të kthehen, ngadalë për të hetuar krimet e luftës”, – shtoi ai.

Paul Refsedal ka kaluar kohë brenda Kosovës në vitet 1998, 1999, gjatë bombardimeve, si gazetar, fotograf norvegjez, përderisa materiale të luftës së fundit në Kosovë, i ka dhuruar për “Reporting House”, e cila do të qëndroj e hapur deri në mes të shtatorit.

BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, prezantojnë punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefaktet e kohës, të shoqëruara me vepra të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës.

Ekspozita e “Reporting House” u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.