Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ritestimi i kandidatëve të doktoratës mund ta rrezikojë regjistrimin në SMIAL

Ritestimi i kandidatëve të studentëve të doktoratës së Fakultetit Ekonomik do të mund të rrezikoj regjistrimin e këtyre studentëve në Sistemtin e Meanxhimit të Informatave në Arsimin e Lartë (SMIAL).

Kjo pasi që programi i doktoratës në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës ka akreditim programor vetëm deri më 30 shtator 2021 dhe ky fakultet nuk ka aplikuar fare për riakreditim të programeve të doktoratës, e UP-ja ende nuk e di se kur do të përfundojë procedura e ritestimit si dhe a rrezikojnë të regjistrohen këta studentë në SMIAL.

Konkursi për pranimin e studentëve në studimet e doktoratës ishte hapur më 22 tetor të vitit të kaluar. Ky konkurs ishte hapur në pothuajse të gjitha fakultetet, por se Senati ka kërkuar ritestim vetëm për Fakultetet e Mjekësisë dhe atë Ekonomik.

AKA dhe Dekani pranojnë se nuk ka aplikim për riakreditim

Se Fakulteti Ekonomik i UP-së nuk ka aplikuar për riakreditim të programeve: Banka, Financa dhe Kontabilitet, Menaxhment dhe Informatikë, Marketing dhe Ekonomiks, e kanë konfirmuar edhe nga Agjencia Kosovare për Akreditim si dhe vetë dekani i këtij fakultetit, Fatos Ukaj.

Drejtori i AKA-së, Naim Gashi ka bërë të ditur për KALLXO.com se programet e doktoratës në Fakultetin Ekonomik në UP kanë akreditim deri më 30 shtator 2021.

“Ju njoftoj se programi i doktoratës në Fakultetin Ekonomik në UP ka akreditim programor vetëm deri më 30 shtator 2021 dhe ky fakultet nuk ka aplikuar fare për riakreditim të programeve të doktoratës”, tha Gashi.

Tutje Gashi po ashtu theksoi se pranimi i studentëve për vitin akademik 2020/2021 nuk është i mundur.

“Ju njoftojmë se pranimin i studentëve në vitin akademik 2020/2021, nuk është i mundur aktualisht, sepse proceduralisht nuk mund të bëhet regjistrim i studentëve në mënyrë retroaktive brenda sistemin SMIAL”, tha ai për KALLXO.com.

“Nëse pretendohet se studentet do të regjistrohen për vitin akademik 2021/2022 atëherë ju njoftojmë se programet e doktoratës në Fakultetin Ekonomik të UP-së nuk kanë akreditim pas datës 30 shtator 2021, dhe se ky fakultet nuk aplikuar fare për riakreditim, gjë që pamundëson shpalljen e çfarëdo konkursi”, shtoi ai.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj po ashtu theksoi për KALLXO.com se nuk kanë aplikuar për riakreditim dhe se nuk e di se kur do të fillojnë studentët vitin akademik, duke e hedhur ‘topin’ nga rektorati i UP-së.

“Ne akreditim kemi deri këtë vit dhe tash është komplikuar situata aq sa shumë sa nuk e di askush. Por, për këtë mundesh me pyet në rektorat nëse kanë ndonjë plan”, tha Ukaj.

Ukaj shtoi se nuk e kanë paraparë që do të ketë vonesa sa i përket konkursit deri në këtë fazë.

“Këta studentë kanë qenë në konkurs për vitin akademik 2020/21 ashtu kanë qenë të parapara në doktoratë edhe me ia nis me vonesë ligjëratat nuk është problem. Ritestimi e ka vonuar procesin sepse ata që janë regjistruar më herët e kanë kry një semestër dhe besoj që ka mu vonu ky ritestim këtë provës këtë shumë”, tha më tej Ukaj për KALLXO.com.

Çka thotë UP-ja për SMIAL?

Në anën tjetër, Kurtesh Sherifi, prorektor për kërkime shkencore, i pyetur nga KALLXO.com se kur është paraparë që të fillojnë studimet, studentët e doktoratës të Fakultetit Ekonomik, ai nuk ka dhënë ndonjë afat kohor definitiv.

“Jeni ne dijeni, se në Fakultetin e Ekonomik dhe të Mjekësisë,  akoma nuk ka përfunduar procedura e konkursit për shkake të arsyeve të njohura dhe sapo të përfundoje konkursi me realizimin e përsëritjes se provimit pranues dhe miratimin e listave përfundimtare, atëherë janë Fakultetet ato që do të vendosin për kohën e fillimit dhe realizimit te programit dhe për këtë mund t’iu njoftojmë në ditët ne vijim”, ka thënë Kurteshi.

Ndërsa, sipas Udhëzimit Adminstrativ për SMIAL për studimet e nivelit të doktoratës theksohet se  institucionet e arsimit të larte janë të obliguara që të raportojnë të dhënat e regjistrimit të studenteve nga 25 nëntori deri me 30 nëntor si dhe nga 10 marsi deri më 15 mars”.

Tashmë pasi periudha e marsit ka kaluar për deklarimin e studentëve të këtij fakulteti, Kurteshi i pyetur nga KALLXO.com nëse këta studentë do të deklarohen në SMIAL në muajin nëntor, ai përsëri nuk dha përgjigje konkrete.

“Lidhur me kandidatët e doktoratës nga Fakultetit Ekonomik dhe Mjekësisë të cilët janë në procesit të konkursit është i informuar edhe Inspektorati i Arsimit të Lartë në MASH. Pas përfundimit të këtij procesi, vendimin për hapjen e SMIAL (dhe afatin) e merr MASH”, tha Kurteshi.

Vendimi i Inspektoratit të Arsimit

Siç e përmendi më lartë prorektori i UP-së se çështja e procesit të konkursit për ritestim të kandidatëve të Fakultetit të Ekonomik dhe Mjekësisë është në Inspektorat të Arsimit, kjo e fundit ka rekomanduar UP-në që të anulojnë vendimin për ritestim.

“Senati i Universitetit të Prishtinës të anulojë rekomandim-udhëzuesin dhe të njoftohen kandidatët për anulimin e mbajtjes së provimit, menjëherë”, thuhet në shkresën e siguruar nga KALLXO.com.

Tutje, Inspektorati ka kërkuar nga Këshilli Qendror i Doktoratës të rishqyrtojë dhe të vendos për kandidatët, duke pasur konsideratë edhe kandidatët që i janë nënshtruar provimit pranues dhe i kanë plotësuar kriteret e regjistrimit dhe nuk janë pranuar për shkak të mungesës së biografisë.

Inspektorati po ashtu ka kërkuar nga organet kompetente të UP-së edhe të ndërmarrin masa ndaj komisioneve të ankesave.

“Të merren masa ndaj anëtarëve të komisionit të ankesave të Fakultetit, të cilët nuk kanë vepruar për procedurën e Përgjithshme Administrative dhe komisionit të Ankesave të Rektoratit, të cilët nuk kanë pranuar dhe shqyrtuar ankesat e parashtruara nga kandidatët aplikantë”, thuhet më tej.

KALLXO.com po ashtu ka marrë vesh nga burimet se për këtë shkresë të Inspektoratit të Arsimit, senati i Universitetit të Prishtinës do të mbajë mbledhje sot.

Senati i UP-së vendosi që të ritestohen kandidatët e doktoratës, përpilon edhe një udhëzues – DOKUMENT

 

.