Senati i UP-së vendosi që të ritestohen kandidatët e doktoratës, përpilon edhe një udhëzues - DOKUMENT

Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur më 12 prill ka vendosur që të përsëritet provimi pranues për kandidatët e doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin Ekonomik.

Këta të fundit ditë më parë kanë protestuar për tri herë radhazi dhe kanë deklaruar se nuk do të pranojnë që të ritestohen.

Por, megjithatë, Senati i UP-së në mbledhjen e fundit ka vendosur që përsëritja e testit do të mbahet më 22 prill në ora 15:00.

Po ashtu Senati në këtë mbledhje ka miratuar edhe një udhëzues sqarues në lidhje me mbajtjen e këtij testi.

Në këtë udhëzim është theksuar se provimit pranues kanë të drejtë t’i nënshtrohen vetëm kandidatët të cilët kanë hyrë në provimin e kaluar më 23 nëntor 2020.

Përjashtim në këtë pikë kanë kandidatët që është dashur të njoftohen nga personeli me shkrim për kohën e mbajtjes së provimit, por që nuk ishin njoftuar.

Më tej në këtë udhëzues është theksuar se kandidatëve do t’iu pranohen 20 pikë nëse dëshmojnë që janë njohës të gjuhës së huaj përmes certifikatave për gjuhën angleze, gjermane dhe frënge.

Ndërsa, kandidatët që nuk kanë dëshmi të certifikatës duhet t’i nënshtrohen provimit pranues në gjuhën angleze.

KALLXO.com kishte raportuar për protestën e kandidatëve që ishin pranuar në test, por se Senati ia kishte anuluar këtë testim.

Kandidatët e Fakultetit të Mjekësisë kishin thënë se nuk do të ritestohen, ndërsa kandidatët e Fakultetit Ekonomik kishin deklaruar se do ta dërgojnë lëndën në Gjykatë.

Konkursi për pranimin e studentëve në studimet e doktoratës ishin hapur më 22 tetor të vitit të kaluar. Ky konkurs ishte hapur në pothuajse të gjitha fakultetet, por se Senati ka kërkuar ritestim vetëm për Fakultetet e Mjekësisë dhe atë Ekonomik.

Senati i UP-së kishte kërkuar ritestim të këtyre studentëve për disa arsye, e ndër to ishte edhe konflikti i interesit, për të cilën kishin dërguar edhe interpretim në Agjencionin Kundër Korrupsion.

Ndërsa, Avokati i Popullit kishte dhënë një opinion se UP-ja është vonuar në adresim tek Agjencioni Kundër Korrupsion për konflikt të mundshëm të interesit sa i përket kandidatëve.

Avokati i Popullit i rekomandon UP-së të krijojë politika të përshtatshme për trajtim të barabartë

.