Foto: KQZ

Rinumërohen votat në 36 nga 50 vendvotimet në të cilat kishte mospërputhje të numrit të nënshkrimeve me votat në kuti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar më 11.03.2025 se deri në ora 16:00 janë numëruar votat e 36 nga 50 vendvotimet për të cilat është urdhëruar rinumërimi për shkak të mospërputhjes së numrit të nënshkrimeve në listën e votuesve me numrin e fletëvotimeve në kuti.

Sipas KQZ-së deri në orën e lartpërmendur janë rinumëruar 33 nga 35 vendvotimet nga komuna e Vushtrrisë, ndërkaq nga 15 vendvotimet e komunave të tjera janë rinumëruar 3 sosh.

Rinumërimi po bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 09.02.2025.

Sipas rezultateve ende preliminare të publikuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.9% apo 345,760 vota, PDK 22.04% apo 186,302 vota, LDK 17.64 apo 149,095 vota, koalicioni AAK-Nisma 7.46% apo 63,035 vota.

Këto rezultate nuk përfshijnë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Nis rinumërimi i 50 vendvotimeve te të cilat kishte mospërputhjeve të numrit të nënshkrimeve dhe të fletëvotimeve