Rihapet Pazari i Madh në Stamboll
Turqia ka hapur njërin nga vendet më të famshme të Stambollit, Pazarin e Madh të shekullit 15, pasi që masat e ndërmarra për të zvogëluar shpërndarjen e koronavirusit në vend u lehtësuan pas dy muajve.
Pazari i Madh i Stambollit dhe Pazari i Erëzave që gjendet në afërsi, u rihapën ditën e hënë në një ceremoni ku morën pjesë guvernatori i qytetit, pronarët e dyqaneve dhe politikanët vendas, raporton Balkan Insight.
“Kemi pasur ngadalësim ekonomik pothuajse për tre muaj [si shkak i pandemisë] por me ndihmën e Zotit dhe së bashku me popullin ne do të ecim përpara dhe ekonomia jonë do të rritet përsëri”, tha në ceremoni Guvernatori i Stambollit Ali Yerlikaya, raportoi Agjensia Anadolu.
Një nga destinacionet më të famshme turistike të Stambollit – Pazari i Madh, ishte mbyllur me 27 Mars si pjesë e masave të qeverisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Pazari ishte raportuar si njëra prej vatrave të pandemisë, ku virusi la më shumë se 40 pronarë dyqanesh të vdekur dhe qindra të infektuar.
Turqia të hënën largoi të gjitha kufizimet e lëvizjes, duke lejuar gjithashtu rihapjen e të gjitha restoranteve, kafeneve, palestrave sportive dhe çerdheve.
Në vend ka ende rreth 32,000 raste aktive me COVID – 19 dhe të hënën u regjistruan 827 raste të reja.
Deri më tani, Turqia ka regjistruar 164,769 raste dhe gati 129,000 të shëruar. Në total 4,563 njerëz kanë vdekur nga ky virus.
Përgatiti: Suada Qorraj