'Refuzimi' i 8 qeveritarëve në detyrë për t’u bërë deputetë

Kanë kaluar më shumë se 1 muaj që prej konstituimit të Kuvendit dhe Kosova ende s’ka qeveri të re.

Ndonëse edhe Kuvendi është konstituuar, ende nuk është mbledhur për të mbajtur seancë të rregullt.

Mirëpo, jo të gjithë deputetët e zgjedhur kanë kryer procedurën e betimit. Disa prej deputetëve të zgjedhur kanë vendosur që t’i mbajnë postet e tyre të tjera deri në një datë tjetër.

Në seancën e 26 dhjetorit janë betuar vetëm 111 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

9 deputetët e tjerë, kanë vendosur t’i mbajnë postet e tyre ekzekutive.

Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Abelard Tahiri, Enver Hoxhaj, Uran Ismajli, Endrit Shala, Pal Lekaj e Kujtim Gashi po vazhdojnë t’i mbajnë postet e tyre në Qeveri, ndonëse janë votuar nga populli për të qenë deputetë.

Ramush Haradinaj ka deklaruar se ka bërë kërkesë në sekretarinë e Kuvendit për t’u bërë zëvendësimi i tij, mirëpo deri më tani, emri i tij figuron në ueb-faqen e Kuvendit si deputet i zgjedhur.

Deputetët që mungojnë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, duhet që betimin ta bëjnë në seancën e parë të radhës.

“Deputeti, që mungon në mbledhjen konstituive të legjislaturës, kur bëhet betimi, betimin e bën në mbledhjen e parë të radhës”, thuhet në rregulloren e Kuvendit, neni 10.

Mirëpo, seanca e radhës së Kuvendit të Kosovës ende nuk dihet se kur do të caktohet për t’u mbajtur.

Seanca e radhës mund të jetë ajo e propozimit të kabinetit qeveritar të ri dhe votimit të saj.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci në një përgjigje për KALLXO.com thotë se si kryesi e Kuvendit, ata do t’i respektojnë afatet kushtetuese për thirrjen e seancës.

“Tash pasi Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar emrin për mandatar për formimin e qeverisë ne praktikisht jemi futur edhe në kohën kur rrjedhin 15 ditët e parapara me Kushtetutë dhe përbrenda afatit kushtetues sigurisht se do të mbahet seanca, pra kështu parashihet me Kushtetutën e vendit dhe kryesia e Kuvendit do ta respektojë atë”, ka thënë Nagavci për KALLXO.com.

Janë të paktë ata që kanë dhënë dorëheqje nga posti i ministrit në detyrë, pasi që ishin zgjedhur deputetë. Një nga ta është Bedri Hamza, tani shef i deputetëve të PDK-së. Në qeverinë Haradinaj, Hamza kishte mbajtur pozitën e ministrit të Financave.

Një tjetër është edhe Rasim Demiri, që kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal për t’u betuar si deputet.

Në të dy këto dikastere janë emëruar ministrat e rinj. Në Financa, ministër është emëruar Lulëzim Rafuna dhe në Zhvillimin Rajonal, Magbule Shkodra.