Reagon Hardinaj në lidhje me akuzat e qeverisë Kurti për shpronësimet milionëshe

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas akuzave të Ministrit të Financave, Hekuran Murati për paratë që janë ndarë për shpronësimin e tokave në ndërtimin e autostradës “Prishtinë-Pejë”.

“Sqaroju qytetarëve që auditimi i brendshëm bëhet nga ti dhe punëtorët tuaj, ku shkruani çka ju teket dhe nuk është auditim profesional nga Auditori Gjeneral! Sigurisht që keni nervozë dhe shqetësim nga sondazhet, që tregojnë se e keni marrë tatëpjetën. Fatkeqësisht nga të bëmat tuaja, po e pëson vendi dhe qytetarët”, ka thënë Haradinaj.

Sot Ministri i Financave, Hekuran Murati në konferencë për media ka bërë të ditur se në shpronësimin e pronave për ndërtimin e autostradës “Prishtinë-Pejë” janë ndarë 12 milion euro më shumë se sa ishte paraparë.

Ky ëshët reagimi i plotë i Ramush Haradinajt:

Ministër Murati, etiketimet e ulëta nuk të shpëtojnë as ty e as shefin tënd nga dështimet e njëpasnjëshme!

Tregoju qytetarëve ministër, pse po e bojkoton gazin amerikan e po e sjell gazin rus në Kosovë!?

Tregoju qytetarëve se nuk keni blerë asnjë vaksinë, dhe e keni bërë Kosovën “kampione botërore” për keqmenaxhim të pandemisë!

Trego ministër, pse nuk po bëni asnjë angazhim shtesë në situatën më të rëndë e me numrin rekord të vdekjeve këto ditë? Biles as shtesa për personelin shëndetësor e as për policinë?!

Tregoju qytetarëve, se përpos që hoqët taksën, nuk vendoset reciprocitetin, Serbisë ia hoqët edhe pengesën e fundit, taksën për prodhimet e subvencionuara nga Serbia, për të dëmtuar prodhimin tonë vendor!

Ende nuk keni treguar pse e keni angazhu Nexhat Krasniqin, famëkeqin e tenderëve!?

Trego për keqpërdorimet e buxhetit, për dhjetëra kontrata pa shpallje të nënshkruara, për anulim të projekteve kapitale!?

Lista e përgjigjeve e sqarimeve që duhesh me ia dhanë qytetarëve është shumë e gjatë. Ne u detyruam t’i rikujtojmë disa!

Dhe për fund, sqaroju qytetarëve që auditimi i brendshëm bëhet nga ti dhe punëtorët tuaj, ku shkruani çka ju teket dhe nuk është auditim profesional nga Auditori Gjeneral!

Sigurisht që keni nervozë dhe shqetësim nga sondazhet, që tregojnë se e keni marrë tatëpjetën. Fatkeqësisht nga të bëmat tuaja, po e pëson vendi dhe qytetarët.

RH

DOKUMENT – Këto janë pronat dhe milionët për të cilat qeveria dyshon se ka pasur keqpërdorime në shpronësim