
Mbledhja e jashtëzakonshme e Senatit të UP-së, 28.02.2025, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Rasti "Filozofiku” - dështoi mbledhja e jashtëzakonshme e Senatit të UP-së
Ka dështuar të mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Senatit të Universitetit të Prishtinës të premten, më 28.02.2025, për shqyrtimin e pozitës 7 të konkursit të datës 31.05.2023 të Fakultetit Filozofik.
Ndonëse kjo mbledhje ishte planifikuar që të mbahet më 03.03.2025, ajo nuk u mbajt fare më 28.02.2025 pasi nuk morën pjesë 27 senatorë dhe u konstatua nga administrata e UP-së se nuk pati kuorum.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Senatit të UP-së ishte planifikuar që të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës, e cila nuk u shqyrtua në mbledhjen e Senatit të datës 21.02.2025.
Kjo për shkak se senatorët e Fakultetit Filozofik, Bekim Baliqi dhe Sejdi Rexhepi më 21.02.2025 nuk iu bindën kërkesës së rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu që të vetëpërjashtohen nga salla ku mbahej mbledhja e Senatit të UP-së.
Vetëpërjashtimi i senatorëve Baliqi dhe Rexhepi u kërkua nga rektori Hajrullahu pasi ata janë pjesë e komisionit vlerësues të pozitës 7 të konkursit të datës 31.05.2023, në Fakultetin Filozofik, e cila ishte pika e tretë e rendit të ditës të kësaj mbledhjeje.
Dhe, sipas një opinioni të Zyrës ligjore të UP-së, pjesëmarrja e senatorëve Baliqi dhe Rexhepi në mbledhjen e Senatit të UP-së të datës 21.02.2025, në shqyrtimin dhe votimin për pozitën 7 të konkursit të datës 31.05.2023 paraqiste konflikt interesi.
Duke u bazuar në opinionin e Zyrës ligjore të UP-së, Hajrullahu kishte kërkuar që Baliqi dhe Rexhepi të vetëpërjashtoheshin nga mbledhja e Senatit të UP-së për pikën ku shqyrtohet dhe votohet pozita e 7-të e konkursit të datës 31.05.2023.
Nga 43 senatorë sa i ka UP, 16 prej tyre ishin prezentë për ta mbajtur mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme: Blerim Saqipi, Eda Vula, Avni Puka, Iliriana Islami, Florim Grajçevci, Florina Jerliu, Violeta Nushi, Figenë Ahmedi, Hajrullah Hajrullahu dhe nga menaxhmenti i Rektoratit: Arben Hajrullahu (kryesues), prorektorët – Naim Jerliu, Avni Hajdari, Rozafa Basha, Majlinda Gjelaj, Albana Berisha Qehaja, dhe u.d. sekretari i UP-së, Besnik Loxha. Kurse, 27 senatorë munguan.
Sipas rektorit Hajrullahu, më 03.03.2025 është dita e fundit kur Senati i UP-së mund ta shqyrtojë dhe të vendosë për avancimin apo jo të kandidatit të propozuar për pozitën 7 të konkursit të datës 31.05.2023. Kjo ishte arsyeja se pse ka vendosur që mbledhja e jashtëzakonshme të mbahej më 28.02.2025.
“3 marsi ligjërisht do të ishte dita e fundit kur për pikën e shtyrë, pikën tre të rendit të ditës nga mbledhja e fundit, përkitazi me rastin e ashtuaquajtur themi ‘rasti Filozofiku’, do të ishte e mundur që të sillej një vendim… Me qëllim që me pasë ne hapësirë, pa paragjyku atë ditë se çfarë do të ndodhë apo a do të arrinim sot me marrë një vendim për rastin në fjalë, e kam konsideruar më të arsyeshme që me e thirrë këtë mbledhje të jashtëzakonshme për të premten” – ka thënë Hajrullahu më 28.02.2025.
Hajrullahu tha se vlerësimi për pozitën 7 të konkursit të datës 31.05.2023 nga komisioni vlerësues i Fakultetit Filozofik ka qenë “i manipuluar”.
Ai ka theksuar se nëse nuk vendoset nga Senati për pozitën 7 të konkursit të datës 31.05.2023, një programi të akredituar në Fakultetin Filozofik mund t’i rrezikohet akreditimi, pasi mund t’i tërhiqet akreditimi nëse nuk ka profesorët e nevojshëm.
“Në këtë katandisje të Universitetit të Prishtinës, nuk janë vetëm ata që e kanë manipuluar vlerësimin. Po konsideroj, po supozoj që një pjesë e atyre që sot mungojnë nuk janë këtu vetëm për arsye objektive, ndonjë arsye shëndetësore apo ndonjë urgjence diçka tjetër. Sot është ditë pune, ata do duhej të ishin në vendet e tyre të punës, profesorët e Universitetit të Prishtinës” – tha Hajrullahu.
“Pra, nuk po dihen me emër me mbiemër vetëm shkaktarët e manipulimit, po të paktën pjesërisht unë supozoj që po dihen tash me emër e me mbiemër edhe kush janë përkrahësit e tyre” – shtoi Hajrullahu.
Si përfundim, Hajrullahu iu tha senatorëve prezent të UP-së se do t’iu dërgohen materialet përsëri në të cilat shihet se ku ka ndodhë manipulimi nga komisioni vlerësues për pozitën 7 të konkursit të datës 31.05.2023.
“Nuk mundet me shku kështu. Nuk mundet me vazhdu në këtë formë që m’u shpallë konkurse duke i dit se kush do të jenë ata të pranuarit edhe duke i manipulu konkurset edhe shpresoj fort që masat disiplinore në këtë rast, te shohim se çka do të jenë, cilat janë instrumentet edhe masat, do të aplikohen edhe për rastin në fjalë, po edhe organet e rendit veç janë t’u u marrë me rastin” – ka deklaruar Hajrullahu.
Ai po ashtu u kërkoi senatorëve të pranishëm në rast se njoftohen se senatorët që munguan kishin pasur ndonjë arsye madhore që nuk kanë arritur të marrin pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme dhe tha se “rektori është më se i gatshëm mbrenda afatit ligjor me thirr mbledhjen, e mbajmë të hënën (03.03.2025) para orës 16:00”.
Hajrullahu kishte bërë të ditur edhe një Komision vlerësues, me përbërje ndërkombëtare, të cilin do ta propozonte për t’u miratuar në mbledhjen e jashtëzakonshme, Kryetari i të cilit do të jetë një profesor i UP-së, Adem Beha dhe anëtarët ndërkombëtarë: Aiden Hehir, profesor nga Universiteti “Westminster” në Londër dhe profesor Florian Bieber nga Universiteti i Graz-it.
Ky komision me përbërje ndërkombëtare sipas Hajrullahut do të vlerësonte pozitën 7 të Konkursit të datës 31.05.2023.
Hajrullahu e kishte ndërprerë për pesë minuta mbledhjen e Senatit të UP-së të datës 21.02.2025, pasi nuk i ishin bindur të vetëpërjashtoheshin nga kjo mbledhje vetëm për shqyrtimin e pozitës 7 të konkursit të datës 31.05.2023, senatorët Bekim Baliqi dhe Sejdi Rexhepi.
Pas pesë minutash, Hajrullahu dhe të gjithë senatorët ishin kthyer në mbledhjen e Senatit dhe ai kishte thënë se i kanë dy opsione për ta zgjidhur këtë situatë.
“Po, konstatoj që kolegët të cilët faktikisht nuk do duhej të ishin në sallë për Pikën Tre, meqenëse është shumë e qartë që do të shkaktojnë konflikt të interesit… Ne mundemi me marr vendim si Senat me pezullu derisa një ditë, e ajo ditë, mund të ndodhë është një muaj, dy, tre muaj, Agjencioni për Parandalim të Korrupsionit të na kthen neve përgjigje. A rasti është shumë ma serioz. Ne jemi tu e rreziku në mënyrë serioze humbjen e akreditimit të Programeve për Pozitën në fjalë.” – kishte deklaruar Hajrullahu, më 21.02.2025.
“Rasti është pezullu edhe është kthy deri në momentin para se me ndodh konflikti i interesit. Këta do të duhej të kishin krijuar një Komision të ri vlerësues. Pra, rasti i pezulluar është i pezulluar. Këta çka kanë bo, nuk e kanë kry detyrën e vet. Edhe atë avazin që e kanë shkaktu në 2023, dy herë radhazi veç na e kanë dërgu, përcjell tutje.” – kishte shtuar Hajrullahu.
Pozita nr. 7 e Konkursit e datës 31.05.2023 të Fakultetit Filozofik në UP u rishqyrtua dy herë me vendim të Senatit të UP-së, në dy mbledhje të tij.
Në herën e parë, rishqyrtimi i kësaj Pike u bë bashkë me tri Pozita të tjera të Konkursit, pasi u konstatua se ka pasur konflikt interesi sipas opinionit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) të datës 08.08.2024.
APK kishte konstatuar se ka pasur konflikt interesi, pasi në procedurat e rekrutimit të Konkursit të majit të vitit 2023, anëtarët e Këshillit të Fakultetit Filozofik morën pjesë në vendimmarrje të Konkursit, ku vetë ishin zgjedhur në pozita akademike.
Për shkak të Pozitës 7 të Konkursit të datës 31.05.2023 të Fakultetit Filozofik në UP pati përplasje me fjalë mes rektorit Hajrullahu dhe dekanit të Filozofikut, Bekim Baliqi në mbledhjen e Senatit të UP-së, më 29.01.2025.
Dekani Baliqi nuk ishte pajtuar që Pozita nr 7 e Konkursit të datës 31.05.2023 të kthehej në Rishqyrtim të Dytë, ndonëse udhëheqësi i Komisionit Këshilldhënës të Rektorit dhe njëherit Prorektori për mësimdhënie në UP, Naim Jerliu tha se është konstatuar se në Raportin e Komisionit vlerësues nuk është aplikuar vlerësimi kuantitativ i aktiviteteve të kandidatëve, të cilët emërohen për herë të parë në thirrjen profesor asistent.