
Kurti: Ne kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në Zgjedhje, nga Serbia me ndihmën ruse
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka qëndruar në Kosovë më 11.03.2025.
Pas vizitës së tij reagoi kryeminstri i Kosovës Albin Kurti në rrjetin social X.
Ai thotë se Serbia me ndihmën e Rusisë kanë ndërhyrë në Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
“Si shumë vende evropiane, ne kemi qenë në shënjestër të ndërhyrjeve në Zgjedhje, në rastin tonë nga Serbia me ndihmën ruse – një mjet i përhapur që përbën një kërcënim kritik për demokracinë në epokën aktuale.”- tha Kurti në rrjetin e tij social X.
Tutje, Kryeminstri thotë se vlerëson bashkëpunimin e vazhdueshëm e po ashtu rikonfirmon angazhimin e Qeverisë për sigurinë rajonale dhe evropiane. Gjithashtu, thekson edhe progresin e rëndësishëm demokratik të Kosovës.
Nën masa të larta të sigurisë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur me ceremoni shtetërore në Presidencën e Kosovës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, më 11.03.2025.
Rutte së bashku me delegacionin e tij të përbërë nga ambasadorët e NATO-s u pritën në oborrin e Kuvendit të Kosovës, aty ku ndodhet edhe Presidenca, teksa rrugët përreth institucioneve shtetërore u bllokuan për një kohë të shkurtër, gjersa eskorta e tij arriti me përcjelljen e Policisë dhe KFOR-it deri te hyrja.
Pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani ka nisur takimin me kryeministrin Albin Kurti dhe Kabinetin Qeveritar.
Mark Rutte gjatë vizitës në Kosovë tha se janë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdo zhvillimi të sigurisë.
“Në këtë kuptim shpresojmë të shohim bashkëpunim edhe më të thellë në mes të institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it.” – tha ai në Konferencën e përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Prishtinë, më 11.03.2025.
Rutte shtoi që trupat e NATO-s punojnë pa pushim për të siguruar ambient me rend dhe siguri, në përputhje me mandatin që kanë në Kosovë përmes KFOR-it.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte në Prishtinë deklaroi se duhet fleksibilitet dhe kompromise të nevojshme të palëve për përparim në procesin e Dialogut Kosovë-Serbi.
Ai këtë deklaratë e tha në një Konferencë të përbashkët për media me presidenten, Vjosa Osmani.
Rutte tha se për ta shtyrë përpara Dialogun “Prishtina dhe Beogradi duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromise të nevojshme dhe të fokusohen në dobitë afatgjate.”
Tutje, ai tha se NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.
“E kuptoj plotësisht që kjo kërkon vendime të vështira, por duhet të shohim pamje më të gjerë.” – tha ai.
Ndryshe, kjo është vizita e parë e Rutte-s në Kosovë si Sekretar i NATO-s.