
Albin Kurti, foto: ZKM
Kurti: Pas 17 vjetësh bashkëatdhetarët nuk do të regjistrohen më si shtetas serb në Gjermani
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti luti bashkëatdhetarët në Gjermani që tash e tutje të shkojnë në Qendra të Regjistrimit Civil në Gjermani për t’u regjistruar, apo për të përmirësuar shtetësinë.
Kështu u shpreh Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 12.03.2025, pasi që më 11.03.2025, Ambasada e Kosovës në Gjermani njoftoi se është tejkaluar problemi i bashkëatdhetarëve të cilët ishin regjistruar si shtetas serb me automatizëm – problem ky prej më shumë se 17 vjetësh.
“Shumë prej jush padrejtësisht jeni detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë në dokumentacionin gjerman – gjë që nga sot nuk do të përsëritet më.” – tha Kurti.
Kurti tha se është nënshkruar një Udhëzim që ka hyrë në fuqi në 16 landet e Gjermanisë.
Faruk Ajeti, ambasador i Kosovës në Berlin, më 11.03.2025 ka bërë të ditur se në komunikim me institucionet gjermane kanë arritur që të eliminojnë problemin me të cilin janë ndeshur bashkëatdhetarët atje prej kohësh, të cilët me automatizëm regjistroheshin si shtetas serb.
Përmes një video-incizimi të publikuar në Facebook, ai ka lajmëruar që jo vetëm në 16 lande gjermane, por edhe në mbi 5,200 Qendra të Regjistrit Civil në Gjermani kanë pranuar tashmë një Qarkore nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, ku janë njoftuar për këtë ndryshim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës.
Në vitin 2024, diaspora shqiptare në Gjermani përmes Organizatës së Akademikëve dhe Studentëve të Diasporës Shqiptare në Hamburg i kishte drejtuar një Kërkesë kancelarit Olaf Scholz, për ndryshimin e Ligjit për Shtetësinë – duke kërkuar heqjen e shtetësisë serbe për kosovarët në Republikën Federale të Gjermanisë.