Arkiv

Raporti: Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lëshoi leje ujore për hidrocentrale pa shqyrtim profesional

Lëshimi i lejeve ujore për shfrytëzim të ujit për Hidrocentrale është bërë në kundërshtim me aktin nënligjor për leje ujore sa i përket dokumentacionit që duhet t`i bashkëngjitet aplikacionit si dhe përmbajtjes së lejes ujore.

Kështu thuhet në raportin e grupit punues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ku u shqyrtuan procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimi i tyre në ujëra dhe mjedis.

Sipas grupit punues, lëshimi i lejeve ujore për hidrocentrale është bërë pa u mbështetur në një shqyrtim të detajuar dhe profesional dhe nuk është bazuar në dokumente planifikuese. 

Për pasojë, janë dhënë leje ujore dhe janë ndërtuar hidrocentrale edhe në zonat ku kanë qenë të planifikuara projekte kapitale hidroteknike duke rrezikuar kështu realizimin e këtyre objekteve me rëndësi strategjike për Kosovën (si në rastin e hidrosistemit Lepenci).

Sipas tyre, për të tri hidrocentralet e kaskadës së Deçanit, lejet ndërtimore dhe certifikatat e përdorimit janë lëshuar nga Ministria, edhe pse të gjitha këto hidrocentralejanë të kapacitetit nën 10 MW, dhe rrjedhimisht lëshimi i lejes ndërtimore me ligj është kompetencë e komunës.

 Në raport potencohet se kjo është realizuar duke i bashkuar dy HC-et (“Deçani” dhe “Belaja”) me një leje ndërtimore meqenëse kështu të bashkuara i kanë mbi 10 MW, dhe HC “Lumbardhi” me digën e cila nuk është ndërtuar fare. 

 Tutje raporti thekson se, praktikisht të gjitha hidrocentralet janë ndërtuar në afërsi të drejtpërdrejt të lumenjve (ujërrjedhave) nga të cilat gjenerojnë energjinë, duke qenë kjo në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ujërat e Kosovës me të cilin ndalohet ndërtimi në distancë më të vogël se 30 metra prej vijave të plotave (vija e ujërave maksimale 100 vjeçare).

Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë në një intervistë në KallxoPernime se raporti i hartuar lidhur me operimin e hidrocentraleve në vend sugjeron që atyre që nuk posedojnë leje mjedisore t’u ndërpritet leja e punës.

MIAPH ka krijuar një komision i cili ka hartuar raportin dhe rekomandimet lidhur me hidrocentralet.

“Raporti për hidrocentralet është pranuar dhe janë edhe rekomandimet për tipin e hidrocentraleve dhe japin rekomandim që hidrocentralet të cilat nuk posedojnë leje mjedisore t’u ndërpritet puna”, ka thënë ai.

Pas këtij raporti që e ka pikëvështrim mjedisin kemi marrë opinion ligjor lidhur me pasojat ligjore.

Ai ka thënë se ato që nuk kanë leje mjedisore do të ndërpriten.

Aliu ka thënë se njëri prej rekomandimeve të raportit është që të ndalohen ato hidrocentrale që e shfrytëzojnë ujin nëpër gypa.

Nga rreth 20 hidrocentrale që veprojnë në vend, ka thënë ai, 16/17 prej tyre do të ndalin punën deri sa të pajisen me leje mjedisore.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.