Screenshot: Save the Children Kosovo/Facebook

Raporti i Save the Children Kosova: Katër nga pesë fëmijë përjetojnë stres në lidhje me notat

Me rastin e 1 Qershorit, “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve” organizata joqeveritare “Save the Children Kosova” ka prezantuar raportin “Zërat e Rinj”.

Mendimet mbi stresin që marrin nga notat, se a i dëgjojnë politikanët mendimet e fëmijëve, a janë të bullizuar, a ka pranin të mjaftueshme të Institucionit të Avokatit të Popullit janë paraqitur nga ky raport.

Metodologjia e punimit të raportit ka qenë anketimi me ç’rast janë paraqitur perspektivat e mbi 1 mijë e 242 fëmijëve të moshave 13 deri në 17 vjeç nga 16 komuna të Kosovës.

Nga të dhënat që kanë rezultuar nga anketimi i këtyre fëmijëve del se 84% e fëmijëve të Kosovës mendojnë se është e rëndësishme që politikanët dhe vendimmarrësit të dëgjojnë se çfarë mendojnë fëmijët.

“Shumicën e rasteve, fjala jonë nuk është dëgjuar. Politikanët i kanë marrë parasysh nevojat tona vetëm kur ju ka interesu kush po fiton”, thuhet se ka thënë një vajzë 14 vjeçare.

Tutje është treguar se 43% e fëmijëve të Kosovës do të donin t’i shprehnin mendimet e tyre në fushën e arsimit në shkollën e tyre dhe ndihen të aftë për të dhënë njohuritë dhe kontributin e tyre në procesin e vendimmarrjes.

Sipas Raportit, 23% e fëmijëve kanë thënë se do të donin t’i shprehnin mendimet e tyre lidhur me të drejtat e barabarta për djemtë dhe vajzat.

“Pjesëmarrja e fëmijëve në nivel komunal është shumë e vogël, e cila është e drejtë e jona që po na mohohet”, ka thënë një vajzë tjetër, 15 vjeçare.

Raporti “Zërat e Rinj” ka nxjerr në pah se 80% e fëmijëve të Kosovës e shohin të ardhmen e tyre në mënyrë pozitive, ndërsa 60% e fëmijëve mendojnë se do të mund të gjejnë punë pasi ta përfundojnë arsimimin.

Po ashtu, nga të dhënat e anketimit rezulton se 65% e fëmijëve kosovarë deklaruan se Kosova duhet të bëjë më shumë për t’i adresuar ndryshimet klimatike dhe për tu angazhuar në zhvillim të qëndrueshëm.

Sa i përket çështjes së bullizmit, 35,3% e fëmijëve kanë thënë se janë bullizuar apo ngacmuar gjatë këtij viti.

“Për shkak të bullizmit online nuk kam llogari në rrjete sociale”, thuhet të ketë thënë një 14 vjeçare.

Përderisa, nga raporti është kuptuar se pothuajse 4 nga 5 fëmijë përjetojnë stres mbi notat.

Fëmijët janë pyetur edhe nëse ndjehen të trishtuar apo të dëshpëruar dhe 70% prej tyre kanë dhënë përgjigje pozitive.

Nga raportoi del se 7 nga 10 fëmijë, apo 67% e të anketuarve konsiderojnë se Kosova duhet të bëjë më shumë për të siguruar praninë e Institucionit të Avokatit të Popullit në çdo komunë.

Në anën tjetër,  40% e fëmijëve  deklaruan që gjithmonë marrin ndihmë për detyrat e shkollës në shtëpi, që është përqindje më e lartë krahasuar me rezultatet nga Anketa Zërat e Rinj 2016, kur kjo ishte 33%.

Në komunikatën e OJQ-së është thënë se Save the Children Kosova/o, përmes raportit ‘Zërat e Rinj’, konsideron se ndryshimi i vërtetë dhe rrënjësor merr kohë dhe ende mbetet shumë punë për të bërë drejt vendosjes së një baze të qëndrueshme për zbatimin e të drejtave të të gjithë fëmijëve në Kosovë.

“Save the Children Kosova/o angazhohet dhe pret që institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë të gjitha nivelet e ligjvënies dhe qeverisjes, prindërit, familjet, shkollat dhe komunitetet, të krijojnë struktura dhe procedura që iu ndihmojnë t’i marrin mendimet e fëmijëve dhe të sigurojnë që ato do të merren parasysh për të gjitha vendimet me ndikim dhe interesin më të mire në jetën e fëmijëve”, është thënë tutje.

‘Sytë nga fëmijët’ në Ditën Ndërkombëtare të tyre