'Sytë nga fëmijët' në Ditën Ndërkombëtare të tyre

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve sytë e të gjithëve janë të kthyer te më të vegjlit e shoqërisë.

Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.

Dy vjet më pas 1 qershori filloi të festohet në të gjithë botën.

Simbolizmi i kësaj ditë shënohet me aktivitete nga fëmijët dhe për fëmijët.

Në vitin 2020 në Kosovë kanë lindur 27 mijë e 709 fëmijë sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave. Ndërsa në të dhënat e popullsisë të vitit 2011 thonë se në Kosovë jetojnë mbi 600 mijë persona që janë nga 0 deri në 18-vjeç.

Ligji për të Drejtat e Fëmijëve mbron çdo fëmijë.

Në korrik të vitit 2020 në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, i cili ka për qëlllim që të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijës.

raportin për drejtat e njeriut të publikuar nga Ambasada amerikane në Kosovë thuhet se “Abuzimi i fëmijëve: Kodi Penal nuk e kriminalizon në mënyrë të posaçme abuzimin e fëmijëve, por trajton elemente të ndryshme të abuzimit të fëmijëve, përfshirë sulmin seksual, dhunimin, trafikimin dhe pornografinë e fëmijëve, ndër të tjera. Dënimet sillen prej pesë deri në 20 vjet burg. Nuk dihej shkalla e abuzimit të fëmijëve për shkak të stigmës shoqërore dhe mungesës së të dhënave të besueshme”.

Sipas Ligjit në Kosovë fëmijët deri në moshën 16-vjeçare e kanë të ndalur martesën, ndërsa raporti thotë se “Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare për raste të martesës së hershme dhe të detyruar të fëmijëve, ajo ishte praktikë e rëndomtë në komunitetin rom, ashkali, egjiptian, boshnjak dhe goran”.

Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë qenë të  kufizuara. “UNICEF-i, përmes partnerit zbatues Handi-Kos, i vlerësoi 30 komuna dhe gjeti që ndërtesat e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta kishin pengesa të shumta arkitekturore që e pengonin përfshirjen dhe regjistrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara fizike në arsimin e rregullt”, thuhet në raport.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, fëmijët mund të punojnë nga mosha 15-vjeçare me kusht që puna nuk është e dëmshme për ta.

Në raportin e Ambasadës amerikane thuhet se Qeveria nuk e ka zbatuar Ligjin në mënyrë efektive dhe se dënimet rrallë janë zbatuar.

“Inspektorët menjëherë i njoftonin punëdhënësit kur të miturit shfrytëzoheshin ose gjendeshin të përfshirë në kushte të rrezikshme të punës. Puna e fëmijëve ndodhi kryesisht në sektorin joformal. Që nga maji, OJQ-ja Terres Des Hommes raportoi për 115 të të miturve që punonin në kushte të rrezikshme”, thuhet në raport.