Rama: Disa përfaqësues të Këshillit të Evropës nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se disa përfaqësues të Këshillit të Evropës nuk u paraqitën në darkën e organizuar nga delegacioni shqiptar, megjithëse e kishin konfirmuar paraprakisht.

Rama ka thënë se arsyeja e tyre ishte se “nuk ndihemi mirë pas fjalimit”.

“Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve“ – ka shkruar Rama në Twitter.

Sipas Ramës, fjalimi ju rënë si rrufe në qiell të pastër dhe se do të ju duhet kohë për të analizuar faktet.

“Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri”- ka thënë Rama.

“Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra”- ka shtuar ai.

Rama iu drejtua të mërkurën Këshillit të Evropës, ku kërkoi rishikimin e Rezolutës 1782 (të miratuar në vitin 2011) për raportin e Dick Marty, për t’i shpallur të pabazuara akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Rrëzoni akuzat kundër Kosovës, pranoni kërkesën e Shqipërisë për një raport vijues ndaj atij të Dick Martyt” – tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Rama prezantoi para Këshillit të Evropës një rezolutë të Shqipërisë, që kërkon që akuzat e raportit të Martyt të konsiderohen “të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte”.

Raporti i Martyt çoi në formimin e Dhomave të Specializuara në Hagë më 2015. Këto dhoma hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim në Hagë nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Por, në aktakuzën e përbashkët kundër tyre nuk figuron “trafikimi i organeve njerëzore”.