QKMF në Vushtrri gjysmë viti pa shefin e ‘kuletës’

Që nga qershori i këtij viti, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Vushtrri ka mbetur pa shefin e buxhetit dhe financave.

Për këtë pozitë nga ajo kohë janë hapur dy konkurse por që për arsye të ndryshme të dy ata janë anuluar, njëri nga ish kryetari Xhafer Tahiri dhe tjetri nga kryetari aktual, Ferit Idrizi.

Konkursi i parë ishte hapur në muajin qershor ndërsa gjashtë persona ishin thirrur t’i nënshtrohen testit me shkrim.

Dy muaj pas, konkursi për pozitën, ‘Shef për Buxhet dhe Financa’ në QKMF ishte anuluar me arsyetimin e mos respektimit të dispozitave ligjore lidhur me procedurat e shpalljes së konkursit si dhe përbërjes se komisionit përzgjedhës.

Sipas statutit të QKMF-së në Vushtrri të miratuar në Kuvendin Komunal, zyra për buxhet dhe financa është departament i veçantë dhe buxheti bashkë me llogaritë e QKMF-së përfshijnë tërë shpenzimet operative të njësive punuese.

Konkursi i dytë për pozitën e shefit të ‘kuletës’ së QKMF ishte hapur në nëntor për t’u anuluar më pas më 14 dhjetor nga kryetari i sapo zgjedhur, Ferit Idrizi.

Në arsyetimin e anulimit thuhet se “anulimi bëhet për shkak se nuk është themeluar me kohë komisioni i përzgjedhjes gjë që kanë kaluar afatet e parapara për zhvillimin e procedurës së konkursit”.

Në një përgjigje për KALLXO.com drejtori i QKMF-së në Vushtrri ka thënë se aktualisht pozitën e shefit të buxhetit është duke e ushtruar shefi i personelit.

“Është shefi i personelit që në mënyrë vullnetare po e kryen këtë. Krejt ato çka i kemi për detyrë jemi t’u i shku në bazë të udhëzimit administrativ”, tha ai.

Të njëjtën e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe drejtori i shëndetësisë, Nexhmedin Rashica.

KALLXO.com ka pyetur nëse shefi i personelit është i autorizuar zyrtarisht për të ushtruar këtë funksion por që nuk ka marrë përgjigje.

KALLXO.com kishte dërguar edhe pyetje tek tash ish drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Vushtrri, Bujar Pllana por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.