Sekretarit të ME-së iu vazhdua kundërligjshëm mandati nga Hoti, Kurti shfuqizon vendimin

Qeveria Kurti ka shfuqizuar vendimin përmes të cilit Fatos Qerimit i ishte vazhduar mandati i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë.

Sipas përgjigjeve të Ministrisë së Ekonomisë, arsyeja e shfuqizimit të këtij vendimi është kundërligjshmëria e tij.

“Po ju shkruaj në lidhje me kërkesën tuaj të datës 3 gusht 2021 për informata rreth sekretarit të Ministrisë së Ekonomisë, z. Fatos Qerimi. Gjatë mbledhjes së Qeverisë të datës 13 tetor 2021, kryeministri z. Albin Kurti ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.13/59 i datës 21 janar 2021 përmes të cilit z. Fatos Qerimi i ishte vazhduar mandati i Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë. Arsyeja e shfuqizimit të vendimit të lartpërmendur është jashtëligjshmëria e tij”, thuhet në përgjigjen e ME-së për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar me Qerimin në lidhje me këtë vendim dhe pozitës që do ta mbajë tash e tutje, por i njëjti ka thënë se ende nuk e ka pranuar këtë vendim dhe se nuk mund të japë qëndrim.

Fatos Qerimi është emëruar për herë të parë në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal me vendim të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, më 9 mars 2018, me mandat 3 vjeçar.

Në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në MZhR, Fatos Qerimi ka qëndruar nga 9 marsi i vitit 2018 e deri më 28 shtator 2020.

Më 28 shtator 2020, me vendim të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, Fatos Qerimi është transferuar në pozitën e Sekretarit të Ministrisë së Ekonomisë nga pozita e njëjtë në MZhR.

Në vendim thuhet se ky transferim është bërë për kryerjen e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive që i ka përcaktuar ligji, brenda mandatit të përcaktuar në vendimin për emërimin e tij në mars të vitit 2018, pra vetëm 3 vjet.

“Z. Fatos Qerimi ka qenë Sekretar në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe përmes vendimit Nr. 12/33 është transferuar përkohësisht, sipas nenit 52 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, në pozitën e Sekretarit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë.

Sipas nenit 52 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, transferi i përkohshëm bëhet kur është në interes të institucionit, deri në 6 muaj gjatë 2 vjetëve dhe më pas, në përfundim të afatit të transferimit, nëpunësi civil kthehet në pozitën e mëparshme.

Por Qerimi nuk pas përfundimit të periudhës prej 6-muajve nuk është kthyer në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, por atij i është vazhduar mandati për katër vjet në pozitën e Sekretarit në Ministrinë e Ekonomisë, me vendim të Avdullah Hotit në janar të këtij viti.

“Me vendimin nr.13/59 , z. Qerimi i është vazhduar mandati edhe për 4 vite. Duke marrë parasysh obligimin që pas përfundimit të transferit, zyrtari të kthehet në pozitën e tij të mëparshme, dhe diskrepancën që ka vendimi nr.13/59 me këtë obligim, e me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, ky vendim është shfuqizuar”, përfundon përgjigja e Ministrisë së Ekonomisë për KALLXO.com.

Shpallja e kundërligjshme dhe shfuqizimi i vendimit për vazhdimin e mandatit edhe për 4 vite për Fatos Qerimin si Sekretar i Ministrisë së Ekonomisë ka ardhë si rezultat i interesimit dhe pyetjeve të dërguara në vazhdimësi në adresë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Qeverisë së Kosovës që nga muaji gusht.

KALLXO.com, rreth pozitës që ka mbajtur Qerimi në ME dhe ligjshmërisë së saj, kishte dërguar pyetje në Ministri të Ekonomisë fillimisht me datës 3 gusht 2021.

Gjithashtu, pyetjet i ishin përcjellë edhe Zyrës së Kryeministrit në po të njëjtën ditë.

Ministria e Ekonomisë kishte dërguar në adresë të KALLXO.com një përgjigje të pjesshme, ndërsa Zyra e Kryeministrit nuk ishte treguar të gatshëm të japë përgjigje.

Pyetjet në adresë të Qeverisë së Kosovës ishin ripërsëritur edhe më 6 e 31 gusht, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Gati dy muaj prej kur pyetjet kanë shkuar në adresë të Qeverisë së Kosovës, Qeveria Kurti e ka shfuqizuar vendimin për vazhdimin e mandatit edhe për 4 vite të Fatos Qerimit si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë.