Studentët në UP, Fotot: Getiana Ahmeti, KALLXO.com

Qeveria ia transferon nga 100 euro 46 mijë studentëve

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka bërë pagesën prej 100 euro për rreth 46 mijë studentë kosovarë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se ky është grupi i parë i studentëve, të cilëve i janë transferuar shtesat nga 100 euro, ndërsa kanë mbetur edhe një numër i studentëve, të cilët nuk kanë marrë ende.

Sipas Muratit, për këtë pjesë të studentëve ka mungesë të të dhënave të sakta.

“Për një numër të konsiderueshëm të aplikantëve, të dhënat që kemi pranuar nga universitetet kanë qenë të mangëta ose nuk ekzistojnë fare”, ka shkruar ministri Murati në Facebook.

Ai po ashtu ka njoftuar se do të tentojnë ditëve në vazhdim që t’i rikonfirmojnë këto aplikime të pakompletuara.

Përveç studentëve, qeveria e Kosovës gjatë javëve të fundit i ka ndarë nga 100 euro shtesë për punëtorët e sektorit privat e publik, që kanë pagë deri në 100 euro.

Po ashtu përfitues kanë qenë edhe pensionistët dhe të gjithë ata që janë pjesë e skemës sociale.

Njoftimi i plotë i ministrit Hekuran Murati në Facebook:

Kam kënaqësinë t’ju njoftoj që sapo u procesua edhe pagesa e shtesës prej 100 euro për studentët.

Grupi i parë i përfituesve janë rreth 46 mijë studentë të cilët kanë plotësuar kriteret, dhe për të cilët kemi pasur informata të sakta.

Për një numër të konsiderueshëm të aplikantëve, të dhënat që kemi pranuar nga universitetet kanë qenë të mangëta ose nuk ekzistojnë fare.

Prandaj gjatë ditëve në vijim, do të tentojmë të rikonfirmojmë të dhënat pë rastet që janë të pakompletuara, dhe sapo t’i kemi pranuar informatat nga këto universitete, do të procesohen edhe pagesat për grupin e mbetur.