Takimet e ndara në Bruksel të udhëheqësve europianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq Foto: Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në platformën X

Publikohen pamje nga takimet e ndara të Kurtit dhe Vuçiqit me liderët europianë në Bruksel - FOTO

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka ndarë fotografi nga takimet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq me liderët e tjerë europianë, sot në Bruksel.

“De-përshkallëzimi dhe kthimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor”- ka shkruar Michel në platformën X.

Sot në Bruksel kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i serb Aleksandar Vuçiq zhvilluan takime të ndara me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrel dhe emisarin për dialog Mirosllav Lajçak.

Pas këtyre takimeve nuk ka pasur asnjë deklaratë për media, e as ndonjë deklarim në ndonjë platformë.

Dje, Qeveria e Kosovës ka pranuar që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët fundjavën që lamë pas, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

Plani përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

Neni i 7 i Marrëveshjes Bazike apo i njohur ndryshe në publik si plani franko-gjerman, thotë se  “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Më 21 tetor 2023, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbia, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë, qëndruan në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi Lajçak tha se i kanë propozuar një plan Kurtit, mirëpo pa dhënë detaje për përmbajtjen e tij, teksa shtoi se të njëjtin do ta prezantonin edhe para presidentit serb.

Disa ditë më vonë nga BE konfirmuan se blloku evropian ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.