PSD-ja e shndërron në “sallë dasmash” objektin e Qeverisë

Aktivistë të Partis Socialdemokrate (PSD) kanë ndërmarrë sot edhe një aksion protestues kundër Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Në objektin e Qeverisë ata kanë shkruar: “Sallë dasmash, këndon Besnik Bislimi”.

Aksioni është ndërmarrë para syve të Policisë.

Në një prononcim për media pas aksionit anëtarja e PSD-së, Natyra Kuçi, tha se mbishkrimi “Sallë dasmash” nuk është i tyre por i kryeministrit Kurti. “Dasmat janë për fis, për ahengje private thoshte ai. S’ka dasma nëpër ministri. Po përputhen fjalët sepse siç po shihet ky është një vend, një sallë dasmash ku pronar është Albin Kurti e Besnik Bislimi është këngëtari. Veçantia e ahengjeve është që muzika ndërrohet sipas dëshirës, ndërrohen edhe fjalët brenda këngëve, vallja hidhet sipas dajres. Kemi parë punësime të familjarëve, ministri të mbushura me familjarë e shoqëri të cilat Qeveria Kurti sidomos në fushatë zgjedhore i kishte kundërshtuar zëshëm”, tha Natyra Kuçi.

“Fakti se veprimet e qeverive të kaluara po përdoren si autorizim për keqqeverisjen sot, kjo duhet të ndalet dhe nuk do të durohet. Ne do të përpiqemi që këto t’I bëjmë sa më të zëshme, t’i theksojmë, t’i vendosim emrat dhe ta theksojmë këtë tendencë të punësimeve familjare kudo që mundemi dhe ta ndalojmë sepse kjo paraqet diskriminim të madh për të tjerët dhe është vazhdim i avazit të vjetër…”, shtoi ajo.