Foto:PSD/Facebook

PSD dorëzon kallëzimin penal ndaj Albin Kurtit për statusin e veteranit të UÇK-së

Partia Socialdemokrate ka dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj kryeministrit Albin Kurti për statusin e tij si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në kallëzimin penal të PSD, thuhet se edhe pse nuk është shpallur në faqen zyrtare të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit të UÇK-së, Albin Kurti asnjëherë nuk ka mohuar se i është njohur statusi i veteranit luftëtar të UÇK-së, listat e së cilës kategori nuk janë publike.

Tutje thuhej se aktiviteti i z. Kurti në kuadër të luftës çlirimtare ka qenë i kufizuar në kontributin e tij të dhënë në kuadër të asaj që njihej si Zyra e Adem Demaçit për analiza, propozime dhe këshilla politike.

“Me datën 2 mars 1999, z. Kurti si pjesë e kësaj zyre, për shkak të mospajtimeve politike, përmes një deklarate tërhiqet nga UÇK dhe nuk kryen më asnjë funksion të njohur publikisht në shërbim të luftës çlirimtare deri kur i njëjti arrestohet në prill të këtij viti”, thuhet në kallëzimin penal që PSD e dorëzoi sot në Prokurori.

Sipas tyre, provë për vërtetimin është deklarata e datës 2 mars 1999 nga zyra e Adem Demaçit.

Ata po ashtu në kallëzimin penal kishin cekur edhe kushtet kryesore që një personi t’i njihet statusi i Veteranit Luftëtar sipas Ligjit për Veteranët e Luftës Çlirimtare të Kosovës.

“Z. Kurti do mund të kualifikohej në kategori të tjera të përcaktuara me këtë ligj, mirëpo jo në këtë kategori – veteran luftëtar i UÇK-së”, thuhet në mes tjerash brenda kallëzimit penal të PSD-së.

Para disa ditësh, në një intervistë për RTK-në, kryeministri Kurti kishte deklaruar se Kosova nuk mund t’i ketë më shumë se 20 mijë veteranë të luftës.

“Nuk ka teori të jenë mbi 20 mijë veteranë të luftës, mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë. Pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta janë edhe më shumë se 60 mijë, por veteranë nuk mund të jenë 60 mijë”, ka thënë Kurti.

Kurti: Nuk ka teori të jenë mbi 20 mijë veteranë të luftës

PSD aksion para Qeverisë: Albin Kurti – veteran i rrejshëm i UÇK-së