Protestat e dhunshme në Zveçan, gjykata aprovon marrëveshjen mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit

Në Gjykatën e Prishtinës është aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë në mes Prokurorisë Speciale  të Kosovës dhe të akuzuarit Nenad Orlloviq.

Ai akuzohet  për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në protestat e dhunshme të datës 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit.

Aprovimi i kësaj marrëveshje është bërë nga gjyqtarja Valbona Musliu-Selimaj, në seancën e datës 21.06.2024.

Pas aprovimit të marrëveshjes nga ana e gjykatës, Prokurori Special Bekim Kodraliu, tha se dënimi i rekomanduar për veprën “sulm ndaj personit zyrtar” është nga 15 deri në 17 muaj burgim.

Përveç sulmit ndaj personit zyrtar, Orlloviq akuzohet edhe për pjesëmarrje në trumë dhe huliganizëm.

Për këtë vepër dënimi i rekomanduar sipas marrëveshjes është prej 6 muaj burgim, mirëpo në mundësi shndërrimi në dëmin më gjobë në shumën prej 10 mijë deri në 12 mijë euro.

Tutje, prokurori Kodraliu i propozoi gjykatës që t’i shqiptojë të akuzuarit një dënim unik sipas vlerësimit të saj brenda dënimeve të rekomanduara, si dhe të njëjtit mos t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

Edhe avokati Gani Hoxha i cili mbron të akuzuarin në këtë çështje penale, deklaroi se e mbështet dënimin e rekomanduar, mirëpo kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i ndërpritet masa e paraburgimit me arsyen se familja e tij ka mbetur pa përkrahje materiale dhe prindërore.

I akuzuari Orloviç para gjykatës premtoi se nuk do të kryejë me vepra penale dhe nuk do të largohet nga Kosova pasi që siç tha ai, këtu ka edhe familjen e tij.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast pritet të bëhet më 24.06.2024 nga gjyqtarja e rastit Valbona Musliu –Selimaj.

Dosja e Prokurorisë

Sipas aktakuzës të datës 11.06.2024, I akuzuari Nenad Orlloviq akuzohet se me datë 29.05.2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit,  në koordinim me shumë të pandehur tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë  në grupin e personave ku përmes dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Këtë sipas Prokurorisë e kanë bërë  duke përdorur mjete të forta e shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit.

Përveç ushtarëve të KFOR-it, të lënduar kishin mbetur edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare.

Me këto veprime i akuzuari në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Orlloviq akuzohet se me datë dhe kohë të njëjtë në koordinim me të pandehurit tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar qe të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, duke vepruar në kundërshtim me urdhrat e KFOR-it, kanë shkaktuar dëm material në automjetet e KFOR-it, Policisë dhe veturat e gazetarëve që e kishin mbuluar ngjarjen atë ditë.

Dosja thotë se dëmtimit përfshinë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik ne masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.

Me këto veprime, mbi të rëndon vepra penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.”