Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes rikthehet në Komisionin për Çështje të Sigurisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar në seancën e Kuvendit që Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes që është në shqyrtim të dytë, t’i kthehet Komisionit për Siguri dhe të tërhiqet plotësisht edhe nga sponzorizuesi, në këtë rast Qeveria.

Deputeti i AAK-së, njëkohësisht kryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha, ka deklaruar se shqyrtimi i projektligjit në fjalë ka kaluar çdo limit kohor dhe kjo sipas tij është bërë qëllimshëm nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.

“Sot e kemi projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Ky projektligj ka më shumë se një vit që është në procedurë në shqyrtim në komisionin për siguri por qëllimisht shqyrtimi i tij ka kaluar çdo limit kohor dhe kjo është bërë qëllimshëm nga deputeti Enver Dugolli. Po ashtu nga përfaqësuesit e ambasadës amerikane është konfirmuar se përmbajtja e projektligjit të miratuar në Qeveri është në dakordim me ta, ndërsa në anën tjetër zotëri Dugolli ka kontabanduar amendamente që nuk janë rezultat i grupit punues, por rezultat i rrethit të tij”- ka deklaruar Berisha.

“Ky projektligj me këto amendamente nuk duhet të miratohet sepse do të cenojë sigurinë kombëtare, mes tjerash do cenojë bashkëpunimin në këtë fushë edhe me partnerët tonë”- shtoi ai.

Berisha shpjegoi se amendamenti 45 i këtij projektligji, siç tha ai, “është e keqja më e madhe”.

“Amendamenti 45 është më e keqja më e madhe. Këtu është lënë mundësia shumë e madhe që të krijohet boshllëk rreth 12 muajsh pa inteligjencë të mbrojtjes, pasi që do të shuhet Drejtoria aktuale për inteligjencë dhe siguri në Ministrinë e Mbrotjes … Kjo nuk duhet me u bë kështu si e ka propozu Enveri, prandaj, sipas rregullores, të tërhiqet njëherë dhe të kthehet në komision e më pas të shohim. Kisha propozu që ky të tërhiqet në plotni edhe nga sponsorizuesi”- tha Berisha.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se pretendimet e deputetit Berisha nuk qëndrojnë.

Sipas saj, ka një dakordim në LVV që ky projektligj të kthehet në komision në mënyrë që të ketë dakordimin bashkë me partnerët.

“Sa i përket mocionit të kryetarit të Komisionit për Siguri, në emër të Grupit parlamentar të LVV-së më duhet të them se nuk qëndrojnë të gjitha ato pretendime të cilat deputeti Berisha i përmendi. LVV ka dakordimin që ky projektligj të kthehet në komision në mënyrë që të ketë harmonizimin dhe dakordimin bashkë me partnerë që janë pjesë e diskutimit për temën e sigurisë dhe inteligjencës dhe nuk ka pasë të bëjë me dispozita që ai përmendi, që janë tërësisht tematikë tjetër”- tha Kusari-Lila.

“Ne si grup parlamentar deklarohemi se pajtohemi që ky projektligj të kthehet në komision e jo të tërhiqet nga sponsorizuesi, por të jetë në komision dhe në kuadër të tij të trajtohet më tutje për ndjeshmërinë dhe rëndësinë që e ka”- theksoi ajo.

Kurse deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj tha se është mirë që ky projektligj të kthehet në komision dhe sipas tij të tërhiqet nga sponsorizuesi, pasi siç u shpreh ai shumë prej çështjeve janë devijuar rrugës nga projektligji fillestar.

“Qëndrojnë ato që tha deputeti Berisha, për shkak se vërehet shumë lehtë që është një konflikt në mes të dy institucioneve kryesore të vendit. Dhe, nuk është e rëndësishme se kush është kryeministër sot apo presidente, por është e rëndësishme që institucioni i Presidencës dhe i Qeverisë të jenë përgjegjëse për komponentën e inteligjencës në FSK. Me këto amendamente vërehet qartë se është përjashtuar e mënjanuar [presidenti] nga përgjegjësia për emërimin e drejtorit të përgjithshëm të inteligjencës në kuadër të FSK-së”- argumentoi Qalaj.

“Kishte me qenë kërkesë e GP të PDK-së që të tërhiqet projektligji nga sponsorizuesi, por më e pakta që mund të bëhet është të kthehet prapë në komision dhe të vazhdojmë tutje”- potencoi ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni ka kritikuar deputetin Dugolli se “ka propozuar amendamente që janë shumë paradoksale”.

“Nga kolegu ynë Enver Dugolli janë propozuar disa amendamente që janë shumë paradoksale. Një ndër to është që me rritjen e përgjegjësisë së organizatës, ulet grada, rangu i atij që do udhëheqë me Agjencinë. Do të thotë drejtorinë e udhëheqë një gjeneral kurse Agjencinë mundet me udhëheqë një kolonel”- u shpreh Quni.

“Ky është një rrezikim i madh i sigurisë nacionale e kombëtare. Besoj që me rikthimin e kësaj teme tek komisioni do i tejkalojmë të gjitha këto mosmarrëveshje”- tha ai.

Pas diskutimit, 69 deputetë kanë votuar pro, katër kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar, që projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes të kthehet për një raport plotësues për t’u trajtuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë.