Projekti i Fakultetit të Edukimit miratohet nga CEEPUS-i

Fakulteti i Edukimit i Universitetit të “Hasan Prishtinës” ka njoftuar se projekti “Rrjeti i hulumtueseve” ka marr miratimin e CEEPUS-it (Central European Exchange Program for University Studies).

“Në kuadër të thirrjes së fundit të Programit CEEPUS u miratua projekti “Rrjeti i hulumtuesve”, i propozuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës me temë “Fuqizimi i dimensionit social të arsimit përmes hulumtimit për zhvillimin e edukimit cilësor të mësimdhënësve (SOCTED)”-thuhet në njoftimin e këtij Fakulteti.

Rrjeti SOCTED, sipas këtij njoftimi synon të edukojë gjeneratën e ardhshme të profesionistëve të arsimit në hulumtime arsimore me kapacitetin për të forcuar dhe analizuar në mënyrë krahasuese si dhe influencuar dhe inovuar dimensionin social – edukimin për vlera – të arsimit në Evropën Qendrore.

Po sipas njoftimit, ky projekt do të mundësojë shkëmbimin e hulumtuesve dhe studentëve për bashkëpunim në këtë fushë.

Po ashtu bëhet e ditur se pjesë e rrjetit të propozuar si partnerë institucionalë janë: Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Edukimit (Kosovë), (Koordinator i rrjetit), Universiteti i Gracit, përmes Institutit për Kërkime Arsimore dhe Edukim të Mësuesve (Austri), Universiteti i Zarës, Departamenti i Edukimit (Kroaci), Universiteti Ss. Cirili dhe Metodius në Shkup, Fakulteti Filozofik, Instituti Pedagogjik (Maqedonia e Veriut), Universiteti i Varshavës, Fakulteti i Edukimit (Poloni), Universiteti i Lubjanës, Fakulteti i Edukimit (Slloveni).

Ky është rrjeti i parë që do të koordinohet nga Universiteti i Prishtinës brenda programit CEEPUS-it.