Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly

Projekti i ardhshëm i Zvicrës në Kosovë synon investime prej 86 milionë euro

Zvicra do të investojë 86 milionë euro në Kosovë në katër vitet e ardhshme, në fushat e qeverisjes demokratike dhe paqes, zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, fushën klimatike dhe ujin.

Gjatë ditës së sotme Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka organizuar ngjarjen e nisjes së programit të bashkëpunimit zviceran me Kosovën për vitet 2022-2025 me investime prej 86 milion euro në fushat e “Qeverisjes demokratike dhe paqes”, “zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm” dhe “fushën klimatike dhe ujin”.

Në ngjarjen e ogranizuar nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, ku u dha lajmi për investimin milionësh të Zvicrës në Kosovë, ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly, u shpreh se Zvicra do të vazhdojë ta përkrahë partneritetin me Kosovën.

“Jemi këtu që nga viti 1999 dhe do të jemi gjithmonë këtu. Nga pranues, ndihmës Kosova është bërë partner i bashkëpunimit”, tha ai.

Pozitive për thellimin e bashkëpunimit mes këtyre dy vendeve dhe zotimin se Zvicra do t’i vazhdojë kontributet në Kosovë e shprehu edhe Zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, Ruth Huber.

“Do të punojmë bashkë me Kosovën që të fuqizohet shoqëria civile dhe angazhimi qytetar, qeverisja komunale, të drejtat e komuniteteve dhe paqja mes fqinjëve, normalizomi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe synimi që të ketë një dialog gjithëpërfshirës dhe transparent”, tha Huber.

Tutje, Huber potencoi se raportet mes këtyre vendeve kanë qenë të forta prej kohësh dhe të tilla do të vazhdojnë të mbesin.

“Ky program është shprehje e bashkëpunimit afatgjatë, 86 milionë euro në katër vitet e ardhshme. Raportet Zvicër – Kosovë s’janë të zakonshme, historia na ka bashkuar, diaspora e Kosovës në Zvicër ka kontribuar në zhvillimin dhe prosperitetin e vendit”, tha ajo.

Falënderues për kontributin e shtetit zviceran ndaj Kosovës u shpreh ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Jam mirënjohës për ndihmën humanitare që Zvicra i ka dhënë Kosovës që nga vitet e 98-ta, tash edhe në vitet 2022 dhe 2025. Marrëdhëniet tona ekonomike, politike, shoqërore dhe njerëzore janë më të forta se kurrë. Së bashku do të vazhdojmë te punojmë për Kosovën që të gjithë duam”, u shpreh Aliu.