Kurti: Dënoj ashpër rastet e diskriminimit të komuniteteve në Kosovë

Nën sloganin “Trasimi i rrugës për ndryshim”, ka filluar të mbahet Samiti i dytë për Antigjipsizmin.

Ky samit ka për qëllim që të bashkojë aktorët kryesorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të diskutuar mënyrat më efektive dhe efikase të antigjipsizmit dhe mënyrat e manifestimit të antigjipsizmit që rezulton në diskriminim ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti fjalimin e tij e filloi duke kujtuar dy rastet e fundit të diskriminimit ndaj komuniteteve.

Ai tha se dënon fuqishëm aktin e diskriminimit të komunitetit romë, ashkali dhe egjiptian në Gjakovë, ku disa pjesëtar të komuniteteve në një lokal nuk morën shërbimin e duhur.

I njëjti tha se i papranueshme është edhe rasti i sulmit që iu bë disa pjesëtarëve të komuniteteve në një qendër tregtare në Prizren.

“Dënoj ashpër dhe dhunën fizike që u shfaqë ditëve të fundit ndaj këtyre komuniteteve”, shtoi tutje i pari i qeverisë.

Ai tha se u bënë thirrje të gjithëve që të pranojnë dhe respektojnë gjithsecilin, pa dallime.

Kurti u shpreh se gjetjet nga hulumtimi i bërë nga organizatorët e këtij Samiti kanë treguar se ka vend për shumë punë.

“Kemi shumë punë për të bërë në promovimin e një kulture të përbashkët”, tha ai.

Një fjalë rasti pati dhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly. Ai u shpreh se edhe antigjipsizmi llogaritet si një lloj i racizmit.

“Duhet të kuptojmë që përjashtimi i komuniteteve e dëmton shoqërinë dhe në anën tjetër diversiteti e pasuron çdo shoqëri”, tha Kolly.

Ai shtoi se duhet pasur vullnet që të punohet me komunitetet.

“Kjo do të ndihmojë që të ndërmerren edhe hapa të tjerë përmirësimin e këtij aspekti”, u shpreh Ambasadori Kolly.

I njëjti tha se e çmojnë punën që bënë qeveria.

Ky samit është organizuar nga delegacioni i “Terre des hommes” në Kosovë në bashkëpunim me organizatat partnere Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve dhe Fondacioni HEKS.