Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Profesori i UP-së flet për lagjet e Prishtinës që rrezikohen nga tërmeti

Një vit prej tërmetit të rëndë në Shqipëri, në Kosovë ende nuk është bërë ndonjë analizë e mirëfilltë e rrezikut nga kjo fatkeqësi natyrore.

Florim Grajqevci, profesor dhe dekan në Fakultetin e Ndërtimtarisë në UP, tha se Universiteti i Prishtinës ka kuadro që mund të bëjnë vlerësimin e objekteve në rast të rrezikut nga sizmika.

“Ne si fakultet kemi kuadër shumë të qëndrueshëm dhe me kapacitete që mund të bëjnë edhe projektime dhe vlerësim të objekteve ekzistuese në rast rreziku nga sizmika”, tha profesori Grajqevci.

Sipas tij, ka ndërtesa në Prishtinë që janë të vjetra dhe të cilat duhet vlerësuar menjëherë, duke përmendur ndërtimet kah rruga e Gërmisë.

“Ndërtimet e vjetra ka rruga e Gërmisë janë të vjetra dhe duhet vlerësuar” , tha tutje ai.

 

“Ne kemi objekte shumë të vjetra që i takojnë spektrit individual por edhe publike, e të cilat kanë nevojë emergjente të ritrajtohen në aspektin sizmik. Këto nevoja janë shumë të mëdha, duke nisë nga Prishtina e në qytetet e tjera. Duhet vlerësim dhe është domosdoshmëri që duhet vlerësim për këto objekte”, tha profesori Grajqevci.

Në nëntor të vitit të kaluar Shqipëria u përball me një prej tërmeteve më të rënda në historinë e saj me mbi 50 persona që gjetën vdekjen.

Një vit më vonë, KALLXO.com është kthyer për të parë se si është trajtuar nga institucionet tona tërmeti.

Të ftuar në debat janë: Hajriz Sejdiu, nga Agjencia e Emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ejup Maqedonci, nga FSK. Faton Hoxha, nga Shoqata e Ndërtimtarëve dhe Florim Grajqevci, profesor dhe dekan në Fakultetin e Ndërtimtarisë në UP.