Procesi problematik, Gjykata e Gjilanit i lë të lirë dilerin e kokainës

Një vendim i pazakonshëm është marrë nga Gjykata e Gjilanit, pasi kjo gjykatë ka vendosur të lirojë në arrest shtëpiak njeriun që dyshohet se tregtonte koakinë në këtë qytet.

Dy ditë më parë, Policia ka arrestuar Sh. Rexhepin, tek i cili zbuloi 220 gram drogë të shtrenjtë, kokainë. Vlera e drogës llogaritet rreth 22 mijë euro.

Sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com, keto fakte nuk kanë mjaftuar që Gjykata e Gjilanit të merrte vendim tjetër ndaj tij.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, i dyshuari Rexhepi është liruar nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Lirimi është bërë edhe përkundër faktit që Prokuroria kishte kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për Rexhepin.

Kokaina është në mesin e drogave më të rrezikshme dhe më e shtrenjta në shumicën e rasteve, për vlera më të vogla të tregtimit të kokainës, gjykata fakton paraburgimin.

Burime brenda prokurorisë tregojnë që për rastin do të bëhet analizë në Prokurorinë e Apelit.

Dje rreth orës 15:30, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjilan kanë zhvilluar një operacion të koduar “Shpërndarësi 2”, me qëllim të ndalimit dhe kapjes se personave të dyshuarve cilët merren me shpërndarjen e narkotikëve.

Gjatë bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të Sh. Rexhepit, përkatësisht në dhomën e gjumit janë gjetur dhe konfiskuar gjashtë paketime substancë narkotike e dyshuar për kokainë në peshë prej 220 gramë, dy peshore elektronike për matjen e substancës, një lugë  dhe thikë metali.

Gjithashtu, janë gjetur edhe qese plasmani për paketime te substancës narkotike kokainë.