Prishtinë - Kompanitë private shkatërrojnë rrugën e shtruar nga Komuna

Një rrugë e shtruar rishtazi në rrugën ‘Anton Santori’ në lagjen ‘Qëndresa’, Veternik është shkatërruar nga punimet që po kryejnë kompani private.

Qytetarë të kësaj lagjeje kanë raportuar në KALLXO.com për problemin të cilin thonë se e kanë adresuar edhe në Inspektorat të Komunës së Prishtinës por që deri tani nuk ka ndonjë rezultat.

Banorët konsiderojnë se këto gropa dhe kanale paraqesin problem jo vetëm për qarkullim po edhe për fëmijët e tyre që mund të biejnë në to.

Sipas raportimit asfalti është prerë duke shkatërruar pjesën më të mirë të lagjes, e gjitha kjo duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Prishtinës.

Kallxo.com i ka dërguar pyetje drejtorit të Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, për të marrë më shumë informata lidhur më këtë rast por nuk kemi pranuar përgjigje deri në momentin e publikimit.