Ilustrim

Prishtinë, 166 mësimdhënës dhe 203 nxënës të infektuar me COVID-19

Që nga fillimi i vitit shkollor më 14 shtator deri më tani në shkollat fillore dhe të mesme në Prishtinë me COVID-19 janë infektuar 166 mësimdhënës dhe 203 nxënës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Fatos Osmani, Zyrtar i Lartë për standard dhe vlerësim në Komunën e Prishtinës.

Sipas Osmanit 13 shkolla Fillore dhe të Mesme të Ulta, 4 shkolla të Mesme të Larta dhe një çerdhe janë duke e zhvilluar mësimin në distancë me skenarin C.

“Procesi edukativo arsimor sipas planit-skenarit A, është duke u zhvilluar në 33 shkolla fillore dhe të mesme të ulta dhe në 7 shkolla të mesme të larta. Ndërsa me planin B, procesin mësimor është duke u zhvilluar vetëm në dy shkolla të mesme të larta, kurse me planin C  procesin mësimor është duke u zhvilluar gjithsej  në 13 shkolla fillore dhe të mesme të ulta, 4 shkolla të mesme të larta dhe një (1) çerdhe.”, ka thënë ai.

Nga kjo javë mësimin në distancë janë duke e zhvilluar dhe  SHFMU “Zenel Hajdini”, SHFMU “Pavarësia” dhe Institucioni Parashkollorë “Gëzimi Ynë”.

Mësimi për vitin shkollor 2020-2021 ka filluar më 14 shtator.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.