Prishtina planifikon platformë për parandalimin e diskriminimit

Komuna e Prishtinës pritet të lansojë platformën “PRISHTINA E SECILIT” për parandalimin e diskriminimit,  fuqizimin e komuniteteve të margjinalizuara dhe grupeve të rrezikuara, njofton Dren Kukaj, drejtor i Mirëqenies Sociale.

“Me të gjitha vështirësitë e jetës në qytetin tonë, Prishtina nuk është e njëjtë për secilin. Është më e vështirë për atë që ka pak. Atë që nuk ka. Atë që nuk mund të lëviz. Atë që nuk mund të shoh. Atë që nuk mund të dëgjojë. Atë që nuk e kupton gjuhën e shumicës. Atë që është më ndryshe se shumica. Me një fjalë, nuk është për secilin”, ka shkruar Dren Kukaj.

Sipas tij, ky projekt target grupe do i ketë familjet me asistencë sociale, personat me aftësi të veçanta, gratë dhe fëmijët në situata të rënda sociale, të moshuarit, minoritetet etnike dhe komunitetin LGBT.

Organizatat që përfaqësojnë grupet e margjinalizuara së bashku me Drejtorinë për Mirëqenie Sociale do fillojnë punën për platformën që nga fillim viti i ri deri në buxhetin 2021.

“Platforma do jetë krijojë korpusin e nevojshëm profesional të shërbyesve social përmes bashkëpunimit me organizata të specializuara të shërbimit psiko-social asisoj që t’i përgjigjemi nevojave bazike sociale në Prishtinë. Tutje, platforma do mbështes aktivitete të caktuara shoqërore përmes së cilave do rritet ndjenja e përkatësisë komunitare e për pasojë edhe avancimi e fuqizimi i këtyre pjesëtarëve të shoqërisë e po ashtu njëkohësisht do rritet niveli i pranueshmërisë së këtyre pjesëtarëve nga pjesa tjetër shumicë e shoqërisë”, ka shkruar Kukaj në Facebook.