Prishet rruga në Drenovc të Klinës, ende pa i bërë dy vite nga asfaltimi

Asfalti i ri i cili ishte shtruar në fund të vitit 2018 është prishur në disa pjesë përgjatë rrugës në këtë fshat.

Ndërtimi i kësaj rruge i kishte kushtuar komunës së Klinës mbi 51 mijë euro, ndërsa punët i kishte kryer kompania “Ndërtimi”, nga Peja.

Kontrata ishte dhëne gjatë vitit 2018 dhe punët kanë përfunduar në fund të atij viti.

KALLXO.com, ka kërkuar sqarime nga Komuna e Klinës në lidhje me prishjen e këtyre rrugëve, mirëpo nuk ka pranuar ndonjë përgjigje konkrete nga zyrtaret e kësaj komune.

Ata kanë thënë se nuk mund të japin informacione pasi rasti është duke u hetuar në Prokurori.

“Përshëndetje, me qenë se dy rastet janë ne hetuesi për shkak te ndjeshmërisë nuk mund te japim asnjë informacion deri në përfundim të rastit. Faleminderit për mirëkuptimin”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

KALLXO.com, ka kontaktuar edhe me përfaqësuesit e kompanisë “Ndërtimi”, e cila e ka realizuar kontratën për asfaltimin e rrugëve në fshatin Drenovc.

Përfaqësuesi i kompanisë, Artan Berisha, ka thënë për KALLXO.com, se punët i kanë realizuar në përputhje me kontratën dhe se punët janë pranuar nga organi mbikëqyrës i komunës.

Ata thonë se prishja mund të ndodh për shkak të llojit të tokës në atë pjesë.

“Mundet me u prish, ka edhe tokë që qahet, është mellë dhe mundet me plasaritë, rruga Gurakoc-Klinë, i njëjti problem është, e ka shtru edhe Jugosllavia e kanë shtru disa herë mas luftës po është dheu, janë do toka që luajnë, që qahen”, thuhet nga kompania.

Ai shtoi se komuna është dashur që të parasheh një bazë më të thellë për këtë projekt  mirëpo nuk ka mundur në mungesë të parave.

“Këto janë projekte të tjera nuk i këqyrin shumë, me kanë diçka si autostradat aty i vlerësojnë, e për këto nuk merren shumë,  përafërsisht e bëjnë një projekt edhe e lëshojnë sa me i rahatu pak qytetarët me i hek pak prej lloqit, problem është që këtu është asi dheu që qahet, këtu duhet me u ba me një bazë ma te thellë deri në 1.5 metra,  po nuk e ka parapa komuna se s’ka pas pare”, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë Ndërtimi.