Prindërit e nxënësve të shkollës 'Emin Duraku' s'e duan mësuesen e Historisë

Mëngjesin e ditës së hënë, Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë kanë bllokuar hyrjen e kësaj shkolle.

Ata po e kundërshtojnë kthimin në punë të mësimdhënëses së Historisë, Afërdita Misimi.

Zijavere Krasniqi, kryetare e Këshillit Drejtues të kësaj shkolle tha se kjo po bëhet për shkak se mësimdhënësja Misimi po abuzon me fëmijët e tyre dhe po i kërcënon.

“Sot jemi mbledhur një pjesë e prindërve si shenjë pakënaqësie për DKA-në, faktikisht edhe për gjykatën që nuk po e merr vendimin e duhur, suspendimin e arsimtares së Historisë. Ajo po abuzon më fëmijët tanë, po i shanë e po i kërcënon”, tha ajo për KALLXO.com, duke shtuar se kanë përgatitur një peticion për shkarkimin e saj.

Këtë gjë e konfirmoi për KALLXO.com edhe drejtori i kësaj shkolle, Agron Mexhuani, i cili tha se që nga ardhja e mësimdhënëses Misimi ka presion e kërcënime.

“Ne pothuajse në vazhdimësi jemi në presion të tillë, nën kërcënime të tilla, por njëkohësisht më e keqja është se nxënësit i nënshtrohen një presioni psikik brenda në shkollë”, thotë Mexhuani.

Sipas tij, mësimdhënësja e lëndës së Historisë kishte ardhur nga shkolla “Pjetër Bogdani” para dy vitesh dhe ishte suspenduar në fund të gushtit të vitit 2018, porse, sipas tij, është rikthyer këtë shtator me vendim të Gjykatës.

“Me keqardhjen më të madhe nuk e kam atë vendim, por është një çështje se fatkeqësisht gjykatat tona nuk e kanë marrë parasysh interesin e fëmijëve, interesin e shkollës apo konkretisht institucioneve edukativo-arsimore, por kanë vepruar në interesin e individit, kjo është më e keqja”, shton ai.

Mexhuani tregon se ka pasur edhe kërcënime personale nga kjo mësuese.

“Gjithherë ka vazhduar të kërcënojë në forma të ndryshme. Po besoj se ne si shkollë i jemi nënshtruar një presioni të një individi. Ajo bënë zhurmë në klasën mbi zyrën time vetëm që të bëjë hallakamë, i kam pranuar ankesat e nxënësve dhe e kam raportuar në Komisionin Disiplinor të Komunës”, ka thënë Mexhuani për KALLXO.com.

Në anën tjetër, mësuesja e Historisë, Afërdita Misimi, e mohoi se ka keqtrajtuar nxënësit e saj.

“Nuk jam ajo që përdori dhunë ndaj tyre. Unë jam mësimdhënëse jo e vështirë, por principiele dhe do të të vazhdoj të punoj këtu në këtë shkollë sepse fëmijët i kam prapa”, tha ajo për KALLXO.com.

Misimi shtoi se vendin e punës e ka fituar me vendim të Gjykatës, por se nuk ia ka dorëzuar drejtorit, pasi sipas saj duhet vetë Gjykata ta njoftojë atë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, e cila ka konfirmuar se rasti i saj është në Këshillin Disiplinor të kësaj Komune.

Shala nuk ka dashur të japë më shumë detaje, duke shtuar se do të dalin me një deklaratë për media për më hollësisht.