Presidentja Vjosa Osmani takoi homologun maqedonas, së shpejti takimi i dy Qeverive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ciklin e takimeve me disa nga presidentët e rajonit në kuadër të Samitit Brdo-Brijuni në Slloveni e ka përmbyllur me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Sipas një njoftimi për media, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet të dy shteteve fqinje janë vlerësuar të mira, ndërkohë që të dy presidentët janë angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre, sidomos në sferën e shkëmbimit tregtar e ekonomik, arsimit, kulturës e turizmit.

Në këtë takim është bërë e ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror së shpejti do të mbahet një takim i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Pendarovski e ka njoftuar homologen Osmani se shteti i tij do ta rrisë prezencën në kuadër të trupave të KFOR-it, teksa i ka dhënë mbështetje liberalizimit të vizave, rrugës evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimit në NATO.

Osmani dhe presidenti Pendarovski kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve në rajon, duke theksuar se rajonit i nevojitet stabilitet.