Takimi Osmani, Kurti dhe Blinken në SHBA, 27 prill 2022 Foto: Zyra e Presidentes Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani flet për takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjatë ceremonisë mortore të ish-Sekretares amerikane të Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, në Washington, takuan edhe Sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken.

Osmani bëri të ditur se shefin e diplomacisë amerikane e falënderuan për kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-së për Kosovën.

“E falënderuam për kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe për lidershipin e treguar nga SHBA-të në kohën kur paqja dhe demokracia në Evropë po cenohen sërish”, ka shkruar presidentja në Facebook.

Gjatë ceremonisë mortore të mbajtur në Katedralen Kombëtare në Washington, hapësirë iu dha jetës dhe veprimtarisë së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka vdekur më 23 mars.

Në ceremoni u përmend fakti që ajo ishte refugjate dhe që të afërm të saj ishin viktima të kampeve të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sa i përket karrierës së saj, u përmed që ishte gruaja e parë Sekretare e Shtetit dhe avokimi që bëri Albright për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke shfaqur edhe pjesë të fjalimit të saj gjatë vizitës në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë udhëtuar në ShBA me ftesë të familjes Albright, ku moren pjesë në ceremoninë e varrimit.