Presidentja Osmani përkujton Nekibe Kelmendin: Ishte model i gruas qëndrestare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përkujtuar Nekibe Kelmendin në 12-vjetorin e vdekjes së saj. Kelmendi ka qenë gruaja e parë avokate shqiptare dhe nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

“Ajo ishte një grua e paepur dhe stoike. Qëndroi deri në fund pavarësisht humbjes tragjike të burrit dhe djemve të saj. Nekibe Kelmendi është modeli i gruas që aktivizmin politik e profesional e orientoi në dobi të luftës për liri e pavarësi” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Tutje, është thënë se Kelmendi la pas një trashëgimi të bujshme të angazhimit të saj në vitet më të vështira.

“Ajo dha kontribut të çmuar edhe në jetën institucionale pas luftës. Një bashkëpunëtore e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, e cila la pas një trashëgimi të bujshme të angazhimit të saj në vitet më të vështira dhe një model i gruas qëndrestare” – ka shkruar presidentja Osmani.

Nekibe Kelmendi ka vdekur më 19 qershor të vitit 2011, në moshën 67-vjeçare. Ajo ka qenë ministre e Drejtësisë, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së dhe ka mbajtur funksione të larta në këtë parti.

Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, forcat serbe ia vranë bashkëshortin – avokatin e njohur dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi, si dhe të dy djemtë e saj, Kushtrim e Kastriot Kelmendin.