Presidenti i Kroacisë propozon që Kosovës t'i jepet statusi i kandidatit për në Bashkimin Evropian

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka propozuar që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për pranim në Bashkim Evropian.

Kështu ka njoftuar Presidenca kroate në faqen zyrtare.

“Presidenti Milanoviç u ka propozuar nismëtarëve të letrës së hapur që të kërkohet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE si për Bosnje-Hercegovinën ashtu edhe për Republikën e Kosovës dhe që BE-ja pas premtimeve të përsëritura të fillojë menjëherë negociatat për anëtarësim me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë, të cilat tashmë kanë statusin e kandidatit”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kroacisë.

Po ashtu sipas njoftimit thuhet se sa i përket Serbisë, sipas tij, ky shtet duhet të vendosë tash nëse dëshiron t’i bashkohet BE-së apo jo dhe të ndjekë politikën që e cakton.

“BE-ja duhet t’ia bëjë me dije Serbisë se tani është momenti për të vendosur”, thuhet në njoftim.

Milanoviç këto deklarata i bëri në kontekst të agresionit rus në Ukrainë. Ai tha se kjo krizë duhet të parandalohet të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor.