Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Policia thotë se do ta zbatojë vendimin e qeverisë

Policia e Kosovës ka thënë se do të zbatojë të gjitha vendimet të cilat merren nga ana e organeve kompetente në këtë rast edhe vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës.

Njëri nga vendimet e marra në mbledhjen e ditës së djeshme është edhe vendimi për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10:00 deri në ora 16:00 pasdite dhe nga ora 20 deri në orën 6:00 të mëngjesit.

Një vendim të tillë do ta zbatojë dhe Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës nuk komenton apo interpreton asnjë vendim, Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha vendimet e lëshuara nga organet kompetente, sipas detyrës dhe autorizimeve policore i zbaton”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Tutje në njoftim thuhet se Policia e Kosovës referuar situatës dhe rrethanave të krijuara në Kosovë nga pandemia, me kohë ka hartuar urdhrin operativ të cilin  tanimë e ka në implementim, ku të gjitha aktivitetet dhe masat i ndërmerr në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave të harmonizuara sipas planit për gatishmëri dhe reagim.

“Njëkohësisht Policia e Kosovës, koordinon aktivitetet e saja me Grupin Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, thuhet në fund të njoftimit.

KALLXO.com, raportoi mëngjesin e sotëm se dhomave komanduese në gjithë rajonet e Kosovës kanë marrë një email në të cilin nuk është përshkruar asgjë përveç vendimit të bashkangjitur me masat e reja.