Patrolla e Policisë tek objekti i RTK-së | Foto: KALLXO.com

Policia shkon në RTK, shkak degradimi në detyrë i Fisnik Dërgutit dhe ankesa e tij

Një ekip i Policisë së Kosovës ka shkuar në objektin e Radio Televizionit të Kosovës sot gjatë ditës, pasi ishin ftuar nga Menaxheri i Arkivit Filmik të RTK-së, Fisnik Dërguti.

Fisnik Dërguti para pak ditësh ka pranuar një njoftim për degradim në detyrë dhe për këtë ai kishte parashtruar një ankesë. Sipas tij, ankesa e parashtruar prej tij nuk po protokollej nga Administrata e RTK-së dhe për këtë ka kërkuar ndihmë nga Policia e Kosovës.

Fisnik Dërguti, menaxher i Arkivit Filmik së RTK-së, njëkohësisht punëtor i RTK-së për rreth 21 vite është degraduar nga ajo pozitë, në pozitën Mbikëqyrës i Programeve të Veçanta.

Dërguti për këtë gjë ka parashtruar ankesë me e-mail tek drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj. Të njëjtën ankesë, Dërguti ka provuar edhe ta protokollojë në Administratën e RTK-së.

Sipas Dërgutit, Administrata e RTK-së kishte refuzuar ta protokollojë ankesën me arsyetimin se “nuk ka nevojë ta protokollojë”.

Si shkak i këtij refuzimi, Dërguti ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.

“Më kanë caktu një degradim dhe unë kam bërë një ankesë e s’dojshin me ma protokollu administrata. Në konsultë me avokatin, jam detyruar ta njoftojë policinë. Pas ardhjes së Policisë, nga administrata ma kanë kryer procesin e protokollimit të ankesës” – tha Dërguti për KALLXO.com.

Sipas tij, ai është degraduar pasi që “menaxhmenti ka për qëllim ta mbyllë Departamentin e Arkivës në RTK”.

“Drejtori më thirri në telefon më tha pse i ke thirrë Policinë, pse ke bo filma. Arsyetim për degradim s’ka pasë, më tha vetëm ndërrim pozite se “po du me e shu departamentin krejt komplet”” – tha Dërguti për KALLXO.com.

Fisnik Dërguti, autor i emisionit “Arkivi” në RTK | Foto: Arkivi RTK

Dërguti thotë se atij i ishin prezantuar tri mundësi pas degradimit dhe se ai është dashtë ta nënshkruajë pasi që do të mbetej i papunë.

“Unë është dashtë me e nënshkru kontratën e re për ri-sistemim sepse nëse nuk do ta nënshkruaja, do të mbetesha pa vend pune” – tha Dërguti për KALLXO.com.

Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, e ka konfirmuar marrjen e ankesës nga Fisnik Dërguti përmes emailit zyrtar.

Sipas tij, Administrata nuk e ka protokolluar fillimisht ankesën e Dërgutit, sepse thotë se nuk e ka parë të domosdoshme, përderisa ai si drejtor e ka ankesën në email.

“Ankesën sigurisht unë e pranova dhe për punën në Administratë nuk kam pasur dijeni. Administrata i ka thënë se përderisa e ke dërguar tek drejtori me email në mënyrë zyrtare, nuk ke nevojë me e protokollu patjetër” – tha Ahmetxhakj për KALLXO.com.

Sa i përket pretendimeve për shuarje të departamentit, Ahmetxhekaj refuzoi të përgjigjej duke thënë se “këto janë çështje të brendshme menaxheriale të institucionit”.

Në anën tjetër, sot gjatë ditës, ka reaguar edhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, duke kundërshtuar vendimet e Menaxhmentit dhe Administratës së RTK-së.

“Degradimi dhe ulja e pagave në RTK nuk do të ndodhë. Andaj kërkojmë nga Menaxhmenti të gjithë ata kolegë që janë degraduar të kthehen në pozitat paraprake deri në përfundimin e reformës, e pastaj të sistemohen në formë horizontale sipas ligjeve në fuqi. Sindikata do t`i ndërmarrë shpejt të gjitha veprimet ligjore” – thuhet në reagimin e Sindikatës SPERTK-së.

Deri në momentin e publikimit, nga Policia e Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje se pse një ekip i saj ka qëndruar tek objekti i RTK-së.

Fisnik Dërguti kishte qenë kandidat për drejtor të RTK-së, por kishte refuzuar të marrë pjesë në procesin e intervistimit të kandidatëve, nën pretendimin se “konkursi ishte i përgatitur”.

Tre kandidatë tërhiqen nga gara për drejtor të RTK-së