Policia në Mitrovicë gjen tri vetura të vjedhura

Gjatë tre ditëve të fundit, Policia në Mitrovicën e Jugut ka gjetur tre vetura të vjedhura në qytete të ndryshme të Kosovës.

Sipas Policisë, kjo është bërë në bashkëpunim me stacionet policore në Podujevë, Pejë dhe Rahovec.

Të gjitha hetimet e ndërmarra përfshirë ekzaminimin e veturave dhe lokacioneve ku janë gjetur, janë bërë në bashkëveprim me hetuesit e stacioneve policore të lartpërmendura.

Tutje, në raportin e policisë thuhet se pas procedurave të nevojshme, veturat janë marrë nga stacionet përkatëse dhe u janë kthyer pronarëve.

Policia thekson se veprimet e mëtejshme hetimore do të vazhdojnë në mënyrë të sinkronizuar ndërmjet hetuesve policorë, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të kryesve të këtyre veprave.