Policia kap në flagrancë shtatë persona të dyshuar se po luanin bixhoz

Policia rajonale e Ferizajt ka ndaluar shtatë persona, të cilët sipas Policisë dyshohen se luanin bixhoz. Ata janë kapur në flagrancë, ndërsa ndaj tyre është iniciuar rast penal.

Ndaj personave të shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, pas intervistimit nga Njësisë së Hetimeve, me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është iniciuar rast penal ‘’Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’ për procedura të mëtejme hetimore.

Policia ka njoftuar se ky rast ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit më saktësisht në orën 03:10 pas mesnate, ku Policia gjatë patrullimit kishte hasur në një lokal në rrugën ‘’Ilir Konushevci’’ në Ferizaj, për çfarë dyshonte se disa persona ishin duke zhvilluar aktivitet joligjor dhe luanin bixhoz.

“Me këtë rast, Policia ka marrë veprimet e duhura hetimore, duke bërë fotografimin dhe si dëshmi tjera materiale kanë gjetur 248 çipa që konvertohen në shuma të caktuara të parave gjatë lojës, 3 palë letra që janë përdorur për të luajtur bixhoz, të cilat edhe janë konfiskuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.