Ilustrim

Policia inicon 9 raste për ndërhyrje në kilometra të veturave

Sektori Rajonal i Hetimeve, përkatësisht Njësia e Auto Krimeve, nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka inicuar 9 raste “Mashtrim, shmangie doganore dhe falsifikim i dokumentit’’ për ndërhyrje në kilometrat e kaluara të veturave.

Përmes një komunikate për media, Policia bëri të ditur se kjo u arrit pasi janë pranuar disa informacione inteligjente dhe në konsultim me Prokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kanë hetuar një nga një, të gjitha rastet e dyshimta të automjeteve.

Policia theksohet se, rastet e mashtrimit janë bërë në atë mënyrë, kur personat e caktuar pas doganimit, apo në disa raste edhe pas blerjes së automjeteve, kanë zbritur kilometrat para se të njëjtën t’ia shesin personit tjetër dhe për këto ndryshime nuk janë njoftuar blerësit e automjeteve. Këtë manipulim e kanë bërë me qëllim të përfitimit personal, duke dëmtuar kështu blerësin.

Ndërsa, rastet e shmangies  doganore, janë bërë në atë mënyrë, që me rritjen e kilometrave të kaluara në automjet, me qellim të shmangies doganore dhe në këto raste, pas rritjes së kilometrave në automjet, kosto doganore ka qenë  më e vogël për pagesë, sesa vlera reale e zhdoganimit të atij automjeti.

Policia potencon se, rastet e falsifikimit të dokumenteve, janë bërë kur personat e caktuar kanë ndërruar kilometrat në automjet të paraqitura përmes dokumentit falso.