Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia identifikon të dyshuarin e pestë për dhunimin e 11-vjeçares, e kërkon në shtëpinë e tij por nuk e gjen

Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë janë arrestuar katër persona lidhur me dhunimin seksual të 11-vjeçares në Prishtinë.

Policia po ashtu ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë dhe se është në kërkim të tij.

“Lidhur me rastin e “dhunimit” të raportuar dje në Prishtinë, hetues nga drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë gjatë reagimit të shpejt dhe arrestimit të dy (2) personave të dyshuar, në vazhdimësi ka punuar me intensitet të lartë në identifikimin edhe të personave tjerë, hetimin dhe sqarimin e rrethanave të plota të këtij rasti. Pas hetimeve intensive të kryera nga hetuesit rajonal kompetentë, sot më 29.08.2022 janë arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, përderisa është identifikuar edhe personi i pestë (5) i dyshuar për përfshirje në rastin “dhunim”- thuhet në njoftimin e PK-së.

Sipas PK-së personi i pestë pasi është identifikuar është kërkuar në shtëpinë e tij mirëpo ai nuk është gjetur në shtëpi.

Në një park të kryeqytetit një vajzë e 11-vjeçare përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht nga disa persona.