Policia e Kosovës arreston të dyshuarin për kontrabandim të kafshëve

Policia Kufitare ka ndalur një furgon teksa po lëvizte nga fshati Zllakuqan i Epërm-Maqedoni e Veriut, përmes fshatit Stanqiq të Gjilanit ku ishin ngarkuar tre gjedhe për të cilat i dyshuari kishte certifikata të pavlefshme.

Sipas policisë, vozitësi H.S., që po drejtonte kamionin ishte recidivist i kontrabandimit me mallla.

“Policia e Kosovës, respektivisht Njësia e Task Forcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje ka pranuar informatë se një kombi/furgon i dyshuar si i ngarkuar me mallra të kontrabanduara është duke lëvizur nga fshati Zllakuqan i Epërm-Maqedoni Veriore, përmes fshatit Stanqiq-Gjilan”- thuhet në njoftim.

“Pas pranimit të informatës së lartcekur, lidhur me rastin me datë 20 korrik 2023 janë vënë në lëvizje zyrtarë policor me veturë civile të cilët kanë bërë identifikimin e furgonit të dyshuar të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale H.S, recedivist i kontrabandimit me mallra, ku pas kontrollit të realizuar në mjetin e tij janë gjetur të ngarkuara 3 (tre) krerë gjedhe, për të cilat i dyshuari ka pasur pasaporta dhe certifikata të pavlefshme, të dyshuara si të falsifikuara”- thekson policia.

Lidhur me rastin është kontaktuar njësiti i Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit të cilët kanë kostatuar se matrikulat janë të dyshuara.

Policia thekson se me urdhër të prokurorit gjedhët dhe furgoni janë dërguar në Terminalin Doganor të Dheut të Bardhë, ndërsa personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt.