Policia deklarohet lidhur me alarmin e rremë për bombë në Aeroportin e Prishtinës

Një alarm për bombë është raportuar në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” gjatë ditës së sotme më datë 02.07.2024. Alarmi më pas rezultoi të jetë i rremë.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha për KALLXO.com se për rastin janë njoftuar në 10:30h.

Ai tha se njësitet policore u janë përgjigjur menjëherë këtyre kërcënimeve duke dalë në vendngjarje dhe duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë.

“Nga njësitë e specializuara janë kryer kontrolle të plota të zonës dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimtë” – tha zëdhënësi.

Tutje ai shtoi se Policia e Kosovës është e përkushtuar për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.

“Ne vlerësojmë bashkëpunimin dhe durimin e qytetarëve si dhe personelit të aeroportit gjatë kësaj kohe” – shtoi Borovci.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara deklaroi se alarmi për bombë ka qenë i rrejshëm.

“Ju njoftojmë se pas kërcënimit për bombë janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo ka rezultuar se kërcënimi për bombë ka qenë alarm i rrejshëm”– ka thënë Gara.

Sipas saj Aeroporti i Prishtinës do të jetë i hapur dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht.

Alarmi për bombë në Aeroportin e Prishtinës del të jetë i rrejshëm