Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Policia arreston tre persona, dyshohen për mashtrim të qytetarëve për punësim në Gjermani

Policia e Kosovës sot në Prishtinë ka zhvilluar një aksion i cili ka rezultuar me tre persona të arrestuar.

Forcat e rendit njoftuan se të dyshuarit u kanë premtuar qytetarëve punësim në shtetin e Gjermanisë.

“Pas dyshimeve të bazuara në përfshirjen e disa personave të dyshuar në një bashkëpunim me një person tjetër në Gjermani, gjatë periudhës kohore janar-maj të vitit 2019, të njëjtit ju kanë premtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës punësim në profesione të ndryshme, e kryesisht në fushën e ndërtimtarisë në shtetin e Gjermanisë, ku në këmbim të kryerjes së këtyre shërbimeve, qytetarët duhet të paguanin shuma të parave në faza të ndryshme (në fazën e aplikimit, fazën e sigurimit të kontratës së punës, si dhe fazën e fitimit të të drejtës për vizë)”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Personat e dyshuar të arrestuar sot  janë I.B. viti i lindjes  1983, M/Shqiptar, Sh. B. viti i lindjes 1952, M/Shqiptar, E. P. viti i lindjes 1996, M/Shqiptar.

“Në lidhje me rastin janë sekuestruar para në vlerë prej 700 (shtatëqind) euro si dhe 3 (tre) telefona mobil, të cilët do të shërbejnë si prova materiale përgjatë procedurave.

Ndrërsa me urdhër të prokurorit, personat e dyshuar të arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.