Foto: Ilustrim

Policia arreston të dyshuarin për vjedhje në institucion financiar, gjen arkën e zbrazët

Sot rreth orës 02:30 të mëngjesit, Policia ka arrestuar një të dyshuar për vjedhje në një institucion financiar në Lipjan.

Policia në rajonin e Prishtinës thotë se në kuadër të intensifikimit të masave të ndërmarra në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, kanë organizuar punën e tyre me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale.

“Pas marrjes së informatës  për një vjedhje të rëndë të ndodhur në një institucion financiar në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan rreth orës 02:30, njësitet policore të Lipjanit kanë organizuar një operacion të shpejtë i cili ka rezultuar me arrestimin në ikje e sipër të një të dyshuari që dyshohet të jetë përfshirë në rastin në fjalë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Veprimet e shpejta i kanë mundësuar policisë të identifikojë veturën e shfrytëzuar nga të dyshuarit si dhe drejtimin e ikjes.

Ndjekja policore ka vazhduar deri në momentin kur në fshatin Qylagë të Lipjanit, të dyshuarit kanë humbur kontrollin mbi veturën e tyre dhe kanë dalë nga rruga.

Me këtë rast policia ka arrestuar të dyshuarin me inicialet H. G, 31 vjeç, si dhe pas një kontrolli që i ka bërë automjetit ka gjetur dhe sekuestruar një revole të tipit Zoraki dhe pesë fishekë.

“Ndërkohë që policia ka kontrolluar edhe perimetrin përreth, pak më tutje është gjetur edhe kasaforta (kasa) e zbrazët”, thuhet në komunikatë.

Ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e arrestit policor dhe me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh dhe ndaj tij është iniciuar rasti vjedhje e rëndë si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar i armës.

Aktualisht policia ka zgjeruar horizontin e hetimeve për të identifikuar edhe të dyshuarit e tjerë të mundshëm të ilet në çfarëdo forme mund të jenë implikuar në këtë rast.