Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia arreston disa persona për dhunë në familje, viktimat kryesisht gra

Policia ka arrestuar disa persona për shkaktim të dhunës në familje ku kryesisht viktima ishin gratë.

Të hënën një grua në Prishtinë ka raportuar se një burrë ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Sipas policisë, i dyshuari ndodhet jashtë shtetit, derisa rasti është duke u hetuar.

Kurse, në Fushë Kosovë është arrestuar një burrë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje, kishte ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje.

Në raportin e policisë theksohet se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Për dhunë në familje policia arrestoi edhe një burrë në Ferizaj i cili pas një mosmarrëveshje, kishte sulmuar fizikisht një grua.

Sipas policisë, viktima ka marrë trajtim mjekësor, derisa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Shtërpcë është arrestuar po ashtu një burrë nën dyshimin se në ndikim të alkoolit kishte sulmuar një burrë dhe një grua.

Sipas policisë, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.